Peizazhi që po humbet, transformimi i bregdetit të Sarandës

Nga kodrat e gjelbëruara deri te shkëmbinjtë buzë detit, resortet dhe vilat po ndryshojnë me shpejtësi pamjen e bregdetit të Sarandës. Peizazhi po copëzohet mes ndërtimeve të reja, ndërsa zhvillimi turistik prek natyrën, territorin dhe në raste të dokumentuara edhe trashëgiminë arkeologjike.

Bregdeti i Sarandës po kalon një transformim të shpejtë, ndërsa zhvillimet turistike dhe rezidenciale po shtrihen nga kodrat deri pranë vijës së detit. Kodra të gërmuara, vila mbi shkëmb dhe komplekse të mëdha po zënë vend në një peizazh të karakterizuar nga gjiret, relievi shkëmbor dhe bimësia mesdhetare. Nga Ksamili drejt zonave përreth Sarandës, ndërhyrjet shfaqen në forma dhe përmasa të ndryshme, por gjurma e tyre është gjithnjë e më e dukshme nga deti. Fotografitë e realizuara përgjatë kësaj vije bregdetare dokumentojnë disa prej zonave ku ndërtimi ka ndryshuar panoramën ose ku projekte të reja pritet ta transformojnë atë më tej. ”Arameras”, ”Kep Merli”, Gjiri i Manastirit dhe Plazhi i Pasqyrave janë pjesë e këtij peizazhi në ndryshim, ku zhvillimi i turizmit po ripërcakton pamjen e bregdetit të Sarandës. 

Në skajin jugor të bregdetit ndërtimet e kompleksit ”Arameras” shfaqen mbi një kodër ku bimësia mesdhetare mbulon ende pjesën më të madhe të shpatit. Resorti përfshin 70 vila dhe njësi akomoduese, të vendosura përgjatë relievit që zbret drejt detit. Nga larg, ndërtesat krijojnë një brez të ri të ndërtuar në pjesën e sipërme të kodrës, duke ndërprerë vazhdimësinë e peizazhit natyror. Rrugët dhe ndërhyrjet që shoqërojnë zhvillimin dallohen mes gjelbërimit, duke treguar se transformimi nuk kufizohet vetëm te gjurma e godinave. Pamja nga deti dokumenton kështu një prej zonave ku zhvillimi turistik po ndryshon gradualisht profilin e bregdetit të Sarandës.

Ndërtimet e Arameras Resort shtrihen përgjatë kodrës me bimësi mesdhetare pranë Ksamilit. Foto: Media Amfora

Ndryshimi bëhet shumë më i dukshëm në Gjirin e Manastirit, ku një masë e dendur ndërtesash është ngritur mbi shpatin shkëmbor përballë detit. Resorti përfshin mbi pesë hektarë territor, ndërsa ndërhyrjet kanë modifikuar relievin dhe bimësinë e zonës për t’i hapur vend strukturave të reja. Krahas ndryshimit të peizazhit, punimet prekën edhe potencialin arkeologjik të një territori që lidhet me Parkun Kombëtar të Butrintit. Punimet e kryera pa monitorimin arkeologjik të kërkuar shkatërruan një strukturë të zbuluar në vitin 2010, e cila ndodhej brenda gjurmës së zhvillimit. Sot, ndërtesat e shkallëzuara mbi kodër dhe kantieri ende i dukshëm nga deti tregojnë një nga transformimet më të forta përgjatë këtij segmenti të bregdetit

Ndërtimet e resortit në Gjirin e Manastirit kanë ndryshuar pamjen e shpatit shkëmbor përballë detit. Foto: Media Amfora

Më tej, ”Kep Merli” tregon një tjetër formë të transformimit, ku vilat janë shpërndarë përgjatë gadishullit dhe mes bimësisë që zbret deri pranë vijës shkëmbore. Kompleksi turistik shtrihet në një territor prej rreth 28 hektarësh dhe përfshin 63 vila luksoze, duke ndryshuar pamjen e një hapësire dikur të karakterizuar kryesisht nga relievi dhe gjelbërimi natyror. Nga deti, strukturat e njëtrajtshme krijojnë një brez të vazhdueshëm ndërtimi përgjatë shpatit, edhe pse një pjesë e tyre mbetet e rrethuar nga bimësia. Resorti privat është bërë i njohur edhe përtej Shqipërisë nga pushimet e personazheve të njohura, mes tyre Dua Lipa dhe Ivanka.

Vilat e Kep Merlit shtrihen përgjatë gadishullit dhe mes bimësisë pranë vijës shkëmbore. Foto: Media Amfora

Projekti “The Mirrors” parashikon në fazën e parë 46 vila, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm përfshin hotel dhe shërbime të tjera turistike. Gjurma e projektit mbivendoset me një pjesë të fshatit Manastir, ku sot ndodhen banesa dhe biznese familjare. Ndryshe nga zonat ku resortet kanë ndryshuar tashmë dukshëm vijën e kodrave, këtu fotografia ruan një moment të ndërmjetëm, ku ndërtesat ekzistuese janë ende të shpërndara në reliev. Nëse projekti realizohet sipas planit, ky segment i bregdetit do t’i shtohet vargut të zonave ku volumet e reja turistike po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në peizazh.

Plazhi i Pasqyrave dhe fshati Manastir, ku parashikohet zhvillimi i projektit turistik “The Mirrors”. Foto: Media Amfora

Transformimi i bregdetit nuk shfaqet vetëm përmes resorteve të mëdha, por edhe në ndërtime të vendosura drejtpërdrejt mbi vijën shkëmbore. Përgjatë bregdetit të Sarandës, vila të mëdha janë ngritur mbi terrenin natyror vetëm pak metra larg detit, duke krijuar një marrëdhënie të re mes ndërtesës dhe relievit. Në fotografi, një prej tyre qëndron mbi shkëmbin e ekspozuar, ndërsa përreth dallohen gjurmët e ndërhyrjes në terren. Kontrasti mes betonit të bardhë, shkëmbit dhe bimësisë së dendur e bën të dukshëm ndryshimin që ndërtime të tilla sjellin në panoramën bregdetare. Në këtë pjesë të vijës së Jonit, peizazhi natyror po ndahet gjithnjë e më shumë nga struktura private që afrohen deri në skajin e detit.

Vilë e ngritur mbi vijën shkëmbore përgjatë bregdetit të Sarandës. Foto: Media Amfora

Bregdeti i Sarandës po merr një pamje të re, ku kodrat, gjiret dhe shkëmbinjtë ndërthuren gjithnjë e më shumë me vila, rrugë dhe komplekse turistike. Zhvillimet ndryshojnë nga njëri-tjetri në përmasa dhe formë, por së bashku po lënë një gjurmë të dukshme mbi peizazhin që dikur përcaktohej kryesisht nga relievi natyror. Në Gjirin e Manastirit transformimi ka prekur edhe potencialin arkeologjik, ndërsa në Pasqyra projekti i ri vendos përballë zhvillimit turistik edhe banesat dhe bizneset e një komuniteti ekzistues. Në emër të turizmit, natyra po tkurret, peizazhi po zbehet dhe hapësirat e pandërtuara përgjatë bregdetit po bëhen gjithnjë e më të pakta. Bashkë me to, Saranda po humbet pak nga pak shkëlqimin e peizazhit që e bëri një prej destinacioneve më të njohura të jugut shqiptar.