Zjarri i afrohet banesave në Lundre të Matit, 8 vatra mbeten aktive në vend 

Zjarri që prej ditësh vijon në Lundre të Matit është afruar të premten pranë banesave, ndërsa terreni i vështirë pengon ndërhyrjen për shuarjen e flakëve. Ministria e Mbrojtjes raportoi 8 vatra aktive në vend, ndërsa era po favorizon përhapjen e flakëve.

Flakët që prej ditësh kanë përfshirë sipërfaqe pyjore në Lundre, në zonën e Ulzës, janë afruar të premten pranë banesave, duke rënduar situatën në një prej vatrave që vijon aktive në qarkun Dibër.

Raportimet nga terreni gjatë mesditës së 4 shtatorit tregojnë se terreni i vështirë dhe bimësia e thatë po pengojnë ndërhyrjen nga toka, ndërsa banorët kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për të frenuar avancimin e flakëve.

Situata shënon një përkeqësim krahasuar me përditësimin e Ministrisë së Mbrojtjes të një mbrëmjeje më parë. Institucioni raportoi se operacionet vijonin në tre zona të qarkut Dibër: Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë-Lis.

“Në Dibër, operacionet vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të konsiderueshëm të forcave tokësore dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit; në këto vatra nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Sipas të njëjtit informacion operacional në të gjithë vendin janë raportuar 27 vatra zjarri. Prej tyre, 17 ishin shuar plotësisht, 2 mbeten nën mbikëqyrje dhe 8 janë aktive.

Për përballimin e situatës ishin angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 170 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 automjete zjarrfikëse. Helikopterët e Forcës Ajrore kishin ndërhyrë në 4 operacione.

“Vëmendja kryesore është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Situata më problematike në bilancin e mbrëmjes paraqitej në qarkun Lezhë, në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet, ku për shkak të përhapjes së zjarrit ishin evakuuar banorë. Në operacion ishin përfshirë 2 helikopterë të Forcës Ajrore, 50 efektivë ushtarakë dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.

Në Mnelë të Vogël, në Vaun e Dejës, Ministria raportonte ulje të intensitetit të zjarrit dhe shmangien e rrezikut për zonat e banuara, ndërsa vijonte puna për shuarjen përfundimtare.

Edhe në Dajt ishte riaktivizuar një vatër, ku ishin angazhuar 60 forca. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në përditësimin e orës 20:00 nuk kishte rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se vijon monitorimin e situatës në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Zjarri në Lundre vijon prej disa ditësh. Në përditësimet e mëparshme, Ministria e Mbrojtjes e kishte renditur vazhdimisht mes vatrave aktive në vend, ndërsa në operacionet për shuarjen e tij janë angazhuar struktura vendore, efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete ajrore.