Kabina elektrike u paraqit si “Airbnb”, zjarri në Vlorë ushqeu narrativën anti-izraelite

Një video e një kabine elektrike të përfshirë nga flakët në Vlorë u shpërnda në rrjetet sociale me pretendimin e rremë se tregonte një “Airbnb” të djegur pasi pronari kishte dëbuar disa ushtarë izraelitë. Pretendimi u përhap në disa gjuhë, duke u shoqëruar me narrativa anti-izraelite dhe në disa raste me gjuhë dehumanizuese.

Grafikë ilustruese me postimet në mediat sociale. Përpunoi Media Amfora

“Dreqi e mori. Një grup izraelitësh në Shqipëri u dëbuan nga një Airbnb pasi pronari zbuloi se ata ishin ushtarë që shërbenin në IDF. Të nesërmen, vendi u përfshi nga flakët. Rastësi” – Me këtë përshkrim, llogaria “Parody Jeff” publikoi më 22 gusht në rrjetin social “X” një video ku shfaqej një ndërtesë e përfshirë nga flakët dhe shtëllunga të dendura tymi të zi. 

Analiza e pamjeve dhe e kronologjisë së publikimeve tregon një tjetër histori nga ajo që u paraqit nën tonet satirike. Objekti që shfaqej duke u djegur nuk ishte një banesë e listuar për qira në platformën “Airbnb”, por një kabinë elektrike që i shërbente Ujësjellësit të Vlorës. Pamjet ishin regjistruar gjatë zjarrit të 11 gushtit në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku u raportua se flakët kishin përfshirë një kabinë të ujësjellësit pranë tunelit, ndërsa Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A. njoftoi se transformatori i Stacionit nr. 2 kishte dalë jashtë funksionit si pasojë e flakëve. Më tej, ujësjellësi paralajmëroi se situata mund të sillte kufizime ose luhatje të përkohshme në furnizimin me ujë, ndërsa shkaku i zjarrit mbetej i paqartë.

Për audiencën ndërkombëtare, kabina elektrike u paketua si një fjetore e modelit “Airbnb” dhe postimi nga i cili nisi orteku i dezinformimit, deri në momentin e monitorimit nga Amfora, ishte ai i “Parody Jeff”, që nga ana tjetër deklaron se ka përmbajtje që niset nga komentet, satira dhe imagjinata.

Ky postim, që pretendonte se bëhej fjalë për pjesëtarë të “IDF – Israel Defense Forces” (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), arriti 1.3 milionë shikime, rreth 62 mijë pëlqime, rreth 1200 komente dhe rreth 20 mijë rishpërndarje, ndërsa situata e krijuar u mor e mirëqenë nga shumë përdorues. Nga ana tjetër, analiza tregoi se kjo llogari në “X” publikon rregullisht materiale mbi Palestinën, kritika ndaj Izraelit, SHBA-së dhe Marrëveshjeve të Abrahamit, ndërsa raportimet mbi Iranin shpesh përdorin pretendime ose deklarata të autoriteteve iraniane si pikënisje.

Videoja vijon të rishpërndahet edhe në kanale të tjera që arrijnë një audiencë të gjerë, duke u përfshirë në një seri raportimesh që po i lidhin izraelitët me vendosjen e zjarreve në pjesë të ndryshme të botës. “Izraelitët vazhdojnë të ndezin zjarre në të gjithë botën…”, ishte titulli i një grafike të AJ+ (Al Jazeera Plus), duke shpjeguar në brendësi se më 14 gusht 2026, një zjarr shpërtheu pranë Sellia-s, në Greqi. Një shtetas izraelit 35-vjeçar u arrestua pasi autoritetet dyshuan se zjarri kishte lidhje me një skarë (për gatimin e ushqimeve) të ndezur pranë vilës ku ai po qëndronte, në një periudhë me rrezik shumë të lartë zjarresh.

Kabina elektrike e paketuar si “Airbnb” gjeneroi një lumë reagimesh

“Një grup izraelitësh që, sipas raportimeve, shërbenin në IDF, u kërkua të largohej nga një Airbnb në Shqipëri, pasi pronari mësoi për shërbimin e tyre ushtarak. Të nesërmen, prona thuhet se u përfshi nga zjarri. Mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin dhe nëse dy incidentet lidhen me njëri-tjetrin”.

Me këtë përshkrim, profili “Hoot Republic” vijoi narrativën dhe publikoi më 24 gusht në “Instagram” të njëjtën video, mbi të cilën ishte vendosur në brendësi teksti: “Ushtarë të IDF-së dëbohen nga një Airbnb në Shqipëri; prona digjet të nesërmen”, duke marrë së paku rreth 22 mijë pëlqime, rreth 2700 komente dhe rreth 4500 rishpërndarje.

Gjithashtu, “Hoot Republic” karakterizohet nga një orientim i fortë narrativ dhe gjeopolitik, me përmbajtje dukshëm pro-palestineze, kritike ndaj Izraelit dhe SHBA-së, si edhe me materiale që, në disa raste, përkojnë me narrativa të favorshme për Iranin dhe Pakistanin.

Pamje e vendndodhjes së kabinës elektrike që u përfshi nga zjarri. Foto nga Google Street View
Pamje e vendndodhjes së kabinës elektrike që u përfshi nga zjarri. Foto nga Google Street View

Brenda 7 orësh nga postimi më i hershëm i identifikuar, videoja kaloi në disa hapësira gjuhësore dhe ndryshoi kontekst gjatë rrugës. Me çdo përkthim, pretendimit iu shtuan elemente që e largonin më tej nga ngjarja reale e dokumentuar në Vlorë.

Fayed Abushammalah, me rreth 58 mijë ndjekës, e ripublikoi historinë në arabisht përmes llogarisë së tij në “X”. Në vend të shkurtesës IDF, postimi përdorte formulimin “forcat e okupimit” dhe shkruante: “Pronari i shtëpisë i dëboi kur mësoi se ishin ushtarë të forcave të okupimit. Ditën tjetër shpërtheu një zjarr në vend, në Shqipëri”.

Gjithashtu, gazetari turk Alpaslan Düven, me mbi 25 vite përvojë dhe që aktualisht përfaqëson në Mbretërinë e Bashkuar “Turkuvaz Media Group”, e ripublikoi videon duke mos verifikuar vërtetësinë e saj, një amplifikim që zgjeroi audiencën e postimit dezinformues.

Në tërësinë e tyre, ripublikimet nuk kishin vetëm ndryshime gjuhësore, por edhe përshkrimi i personave të pretenduar si pjesëtarë të “forcave të okupimit” e vendoste historinë brenda kornizës politike të konfliktit izraelito-palestinez. Abushammalah vetëidentifikohet si gazetar dhe analist politik palestinez me përvojë mbi 35-vjeçare dhe si ish-korrespondent i BBC-së në Gaza. Ai është gazetari i parë i identifikuar në kronologjinë e monitoruar të përhapjes së pretendimit.

Një postim tjetër në portugalisht shkoi një hap më tej, duke shkruar se “Izraelitët i vunë zjarrin një akomodimi Airbnb” dhe, në të njëjtin publikim, izraelitët përshkruheshin edhe si “demonë”. Monitorimi i Amforës identifikoi versione të ngjashme edhe në spanjisht, italisht dhe greqisht.

Përhapja e historisë nuk ndryshoi vetëm pretendimin mbi atë që kishte ndodhur në Vlorë. Në komentet dhe reagimet e monitoruara nga Amfora, një histori e pambështetur që u atribuohej disa personave të paidentifikuar u përdor për të bërë përgjithësime ndaj izraelitëve dhe, në disa raste, ndaj hebrenjve në tërësi.

Një përdoruese kërkonte që izraelitët të pengoheshin të hynin në Shqipëri, ndërsa reagime të tjera kërkonin ndalimin e shtetasve izraelitë ose arrestimin e të gjithë ushtarëve të IDF-së. Në disa komente, gjuha shkonte më tej, duke përdorur përshkrime dehumanizuese ndaj “sionistëve” ose duke kërkuar përjashtimin e hebrenjve në tërësi. Në këtë aks, përgjegjësia për një zjarr që nuk ishte provuar se kishte lidhje me ndonjë shtetas izraelit u zhvendos drejt kombësisë, përkatësisë politike, etnike dhe fetare.

“Screenshot”-e nga ripostimet në “X”
“Screenshot”-e nga ripostimet në “X”

Mesazhi i “Parody Jeff” u rishpërnda me citim dhe me pretendimin në anglisht nga një seri profilesh në “X”, si “Global South News”, që funksionon si agregator lajmesh me fokus në Afrikën e Jugut dhe deklaron se është e vendosur në Moskë, Rusi, duke numëruar mbi 254 mijë ndjekës dhe thekson profilizimin e saj për “parodi”.

“Paramotor News” vijoi rishpërndarjen e videos, teksa identifikohet si një llogari mediatike. Nga analizimi i përmbajtjes dallohet orientimi i fortë pro-palestinez dhe islamist, duke amplifikuar materialet dhe deklaratat e Hamasit/al-Qassam, Hezbollahut dhe aktorëve të lidhur me Iranin.

Pavarësisht këtij trendi, reagimet nuk ishin të njëtrajtshme dhe disa përdorues kërkuan burime dhe prova për historinë. Një prej tyre shkroi se kishte kontrolluar disa media pa gjetur raportime që ta mbështesnin, ndërsa një tjetër paralajmëroi se kalimi nga një mosmarrëveshje e pretenduar për strehimin te akuza për zjarrvënie mbështetej në spekulim.

Me nisjen e protestave qytetare dhe mjedisore kundër projekteve në Zvërnec, paralelisht u shpërndanë narrativa që i lidhnin protestat me Izraelin – krejt e kundërta nga realiteti në terren. Në rrjetet sociale u përhapën pretendime për “kolonizim”, për një “Gaza të dytë” në Zvërnec e Sazan dhe për interesa të fshehura izraelite, të mbështetura në përmbajtje të manipuluara ose të shkëputura nga konteksti. Këto narrativa u amplifikuan si nga profile vendase, ashtu edhe nga llogari të huaja me orientim anti-izraelit.