Pesë vatra zjarri aktive në vend, evakuohen katër familje në Mallakastër
Pesë vatra zjarri mbeten aktive në vend nga 28 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa katër familje janë evakuuar përkohësisht në Mallakastër për arsye sigurie. Situata paraqitet problematike edhe në zonën e Dajtit, ku vijojnë ndërhyrjet nga toka dhe ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Gjatë shuarjes së zjarrit në Pukë. Foto: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile
Forcat zjarrfikëse, strukturat e mbrojtjes civile dhe Forcat e Armatosura vijuan të mërkurën ndërhyrjet në disa qarqe të vendit, ku pesë nga 28 vatrat e zjarrit të raportuara gjatë 24 orëve të fundit mbetën aktive, sipas informacionit të bërë publik nga autoritetet.
Situata më problematike raportohet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Bashkisë Mallakastër, ku ndërhyrja nga toka dhe ajri po vijon për izolimin e zjarrit.
Katër familje janë evakuuar përkohësisht nga zona për arsye sigurie. Në operacion janë përfshirë zjarrfikës nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”.
Ndërhyrjet vazhdojnë edhe në zonën e Dajtit, ku krahas forcave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni po mbështetet nga ajri me avionin “Air Tractor”, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vatra të tjera janë raportuar në Qarkun e Elbasanit. Në Shqiponjë zjarri është vendosur nën kontroll, ndërsa vatra në Malin e Dardhës është izoluar. Në fshatin Mjekës vijon puna e forcave në terren për shuarjen përfundimtare të flakëve, pa rrezik të raportuar për zonat e banuara.
Në Kostren të Bashkisë Berat po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës, ndërsa në Pocest të Bashkisë Dibër zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale.
Të shuara rezultojnë edhe vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë të Qarkut Gjirokastër, të cilat vijojnë të mbahen nën monitorim për të shmangur riaktivizimin e tyre.
Në operacionet kundër zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar 631 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse. Atyre u janë bashkuar 90 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Si pasojë e zjarreve, deri tani janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier. Përmasat e dëmit nga vatrat që vazhdojnë të jenë aktive mbeten ende në vlerësim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile po vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në zonat e prekura.