Vandalizohet kisha që bashkon të krishterë e myslimanë

Kisha e Shën Thanasit në fshatin Sinicë është vandalizuar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë dëmtuar ikonat dhe objekte të tjera brenda saj. E shkatërruar gjatë regjimit komunist dhe e rindërtuar nga banorët kisha konsiderohet e shenjtë nga komuniteti dhe bashkon rreth saj të krishterë e myslimanë.

Banorët e fshatit Sinicë, në Njësinë Administrative Miras të Bashkisë Devoll, në Qarkun e Korçës, konstatuan të martën vandalizimin e Kishës së Shën Thanasit, pasi gjetën të dëmtuara materialet e siguruara për punimet në objekt.

“Lajmin e mësuam nga banorë të zonës”, tha At Mihali nga Mitropolia e Korçës.

Autorë ende të paidentifikuar kanë arritur të futen brenda kishës, ku kanë dëmtuar ikonat dhe një objekt kishtar që shërbente për mbajtjen e librave të shenjtë, ndërsa jashtë saj janë dëmtuar edhe materialet ndërtimore. 

Sipas At Mihalit, kisha ruhet dhe mirëmbahet nga banorët, të cilët kohët e fundit po kryenin edhe punime në objekt. Ai bëri të ditur se për rastin është njoftuar policia, ndërsa shpjegoi se numri i madh i objekteve fetare e bën të pamundur mbikëqyrjen fizike të secilit prej tyre.

“Mitropolia jonë ka një numër të madh objektesh kishtare dhe është e pamundur që të gjitha të kenë roje fizike apo monitorim me kamera”, tha At Mihali për Amforën. 

Mirëmbajtja e Kishës së Shën Thanasit është mbështetur prej vitesh te vetë komuniteti. Ligoraq Karamelo, ish-deputet dhe ish-banor i Sinicës, i cili është përfshirë së bashku me banorët në mbledhjen e fondeve për riparimin e kishës, tregoi se këtë verë ata kishin mbledhur para dhe kishin nisur ndërhyrjet për ta përgatitur objektin përpara nisjes së reshjeve të dimrit.

Kisha ndodhet rreth 1,300 metra mbi nivelin e detit. Për shkak të vendndodhjes së saj, sipas Karamelos, materialet e ndërtimit transportohen deri atje me krahë. Banorët kishin dërguar së fundmi rreth tre kuintalë çimento për punimet dhe pikërisht dëmtimi i këtij materiali ngriti dyshimet e para. Kur u ngjitën te kisha, ata konstatuan edhe dëmtimet në objekt, përfshirë ikonat dhe një objekt që përdorej për vendosjen e librave kishtarë.

Historia që banorët lidhin me kishën shkon pas në periudhën e diktaturës komuniste. Objekti i mëparshëm u shkatërrua në vitin 1967, kur regjimi komunist ndaloi ushtrimin e besimit fetar. Në vitin 2000 banorët e Sinicës u mblodhën për ta rindërtuar kishën mbi themelet e objektit të shkatërruar.

Për komunitetin rëndësia e saj nuk kufizohet te besimi ortodoks. Kisha është frekuentuar dhe respektuar ndër vite nga banorë të besimeve të ndryshme, ndërsa vetë rindërtimi dhe mirëmbajtja e saj janë realizuar me kontributin e fshatit.

“Këtë kishë e adhurojnë të krishterë e myslimanë”, tha Karamelo për Amforën.

Sipas tij, kisha ka dy periudha gjatë vitit kur mbledh besimtarët, në janar dhe në maj, të lidhura me historikun e saj. Edhe punimet e nisura këtë verë synonin mirëmbajtjen e objektit përpara përkeqësimit të motit dhe reshjeve.

Dëmtimi ka marrë kështu një peshë të veçantë për banorët, të cilët e shohin kishën jo vetëm si objekt fetar, por edhe si një hapësirë që ka mbledhur ndër vite komunitetin e Sinicës. Mitropolia është njoftuar për rastin, ndërsa sipas dy burimeve të Amforës, është vënë në dijeni edhe policia.

“Mbi të gjitha është dhunuar objekti që bashkon gjithë fshatin. Kjo kishë është vlerë për fshatin, bashkon besimtarët pavarësisht besimit, ndaj kërkojmë që të zbardhet si ngjarje”, tha Karamelo.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Policia e Shtetit nuk kishin publikuar njoftim zyrtar në lidhje me dëmtimin e Kishës së Shën Thanasit, ndërsa banorët e Sinicës presin zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.