Reforma territoriale përplaset me Poliçanin, Këshilli Bashkiak refuzon bashkimin me Beratin
Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka kundërshtuar unanimisht propozimin për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin. Qëndrimi u formalizua pas dëgjesave me qytetarët, ndërsa 15 këshilltarët kanë paralajmëruar dorëheqjen nëse Kuvendi miraton shkrirjen.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak Poliçan. “Screenshot” nga videoja e Bashkisë Poliçan
Këshilli Bashkiak i Poliçanit votoi të premten kundër propozimit që parashikon shkrirjen e bashkisë në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.
Mbledhja u zhvillua jashtë radhe, ndërsa në njoftimin zyrtar të Bashkisë Poliçan objekti përcaktohej si shprehja e mendimit dhe e qëndrimit institucional të Këshillit mbi propozimin për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin me Beratin.
Përpara votimit, këshilltarët u njohën edhe me raportin e komisionit të ngritur nga Këshilli Bashkiak pas dëgjesave publike me qytetarët. Në përfundim, të 15 anëtarët votuan kundër propozimit. Ata paralajmëruan gjithashtu se do të japin dorëheqjen nëse kuvendi vendos për shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Kundër ndryshimit është shprehur edhe kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, i cili ka kundërshtuar argumentet për bashkimin me Beratin dhe ka kërkuar që të merret parasysh qëndrimi i komunitetit.
“Do të jetë një turp për parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, tha Zotkaj gjatë mbledhjes.
Vota e Këshillit Bashkiak formalizon qëndrimin e institucionit vendor, por nuk përcakton përfundimisht hartën e re territoriale. Procesi po zhvillohet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, ndërsa në Qarkun e Beratit dëgjesa publike me përfaqësues të bashkive Berat, Kuçovë, Poliçan, Skrapar dhe Dimal është zhvilluar më 5 qershor.
Reforma synon rishikimin e organizimit territorial të vendit, funksioneve, financimit dhe mënyrës së ofrimit të shërbimeve nga bashkitë. Për Poliçanin, megjithatë, procesi tashmë përballet me një kundërshtim të formalizuar edhe nga Këshilli Bashkiak.
Kundërshtimi institucional ndaj hartës së propozuar territoriale nuk është kufizuar vetëm në Poliçan. Më 10 gusht, edhe Këshilli Bashkiak i Dimalit votoi kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me Beratin, me 20 nga 21 këshilltarët pjesëmarrës që u shprehën kundër.
Me votën e Poliçanit, dy bashki të qarkut të Beratit që propozohen për shkrirje kanë formalizuar tashmë kundërshtimin e tyre përmes këshillave bashkiakë.