Objekti 5-katësh pa leje në Qeparo, shkak për pezullimin e zinxhirit komandues të Policisë së Himarës
Katër punonjës policie u pezulluan nga detyra pasi verifikimet paraprake treguan se Komisariati i Himarës nuk kishte marrë masa për një objekt pa leje që ndërtohej prej dhjetorit 2025 në Qeparo. Për të njëjtin rast është arrestuar ndërtuesi dhe janë shpallur në kërkim tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë.
Pamje nga Qeparo, Himarë. Foto ilustruese: Amfora Media
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pezulloi nga detyra katër punonjës policie që kishin përgjegjësi në Himarë gjatë periudhës kur në zonën e Sugës, në Qeparo, po ndërtohej pa leje një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë.
Të pezulluarit janë nënkomisar Ferit Merkaj, ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë, komisar Emiljano Prenga, ish-shef seksioni dhe specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, nënkomisar Klodjan Petani, ish-specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1 dhe inspektor Redin Çaushaj, ndihmës/specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj katër punonjësve ka nisur hetim disiplinor, pasi nga verifikimet paraprake rezultoi se objekti kishte nisur të ndërtohej në dhjetor 2025 dhe Komisariati i Policisë Himarë nuk kishte marrë masa për parandalimin e tij.
“Nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin”, njoftoi të hënën Policia e Shtetit.
Për objektin është arrestuar një banor i Laçit, i identifikuar nga policia me inicialet L.B., ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Objekti i konstatuar në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo, përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë dhe, sipas Policisë, ishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, ndërsa punimet kishin nisur që në dhjetor 2025.
Policia nuk njoftoi në këtë fazë për procedim penal ndaj katër efektivëve të pezulluar, por bëri të ditur se ndaj tyre ka nisur procedura disiplinore.