Nga rindërtimi te TID Durrës, vendimi i qeverisë mund të ndryshojë zbatimin e projektit të kundërshtuar nga banorët
Vendimi i fundit i qeverisë shfuqizon një akt të vitit 2020 që lidhej me procesin e rindërtimit në Durrës, por nuk anulon projektin TID. Mbivendosja e disa prej banesave të përfshira në zonën e rindërtimit me ato që preken nga TID-i krijon një situatë të re për zbatimin e projektit, prej muajsh i kundërshtuar nga banorët.
Amfiteatri i Durrësit dhe banesat përreth zonës së përfshirë në projektin TID. Foto: Media Amfora
Këshilli i Ministrave shfuqizoi më 30 korrik vendimin e vitit 2020 që shpallte një pjesë të Durrësit “zonë të re për zhvillim” dhe caktonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese, duke krijuar një situatë të re për disa prej banesave që më vonë u përfshinë edhe në projektin TID Durrës.
“Shfuqizimin e vendimit nr. 442, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në Njësinë Administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese’”, përcakton VKM nr. 621, e 30 korrikut 2026.
Dokumentet tregojnë se akti i shfuqizuar nuk ishte vendimi që miratonte TID Durrës. Ai lidhej me procesin e rindërtimit, ndërsa në vitin 2021 Këshilli Bashkiak Durrës miratoi Planin e Detyruar Vendor (PDYV) për Zonën 5, shprehimisht “në funksion të procesit të rindërtimit”. Ndërhyrjet e parashikuara në këtë zonë kishin shkaktuar debat mes banorëve.
TID është një plan ndërhyrjeje urbane që përfshin zonën historike pranë Amfiteatrit të Durrësit dhe synon transformimin e saj përmes rindërtimit dhe zhvillimit urban. Prej muajsh projekti kundërshtohet nga një grup banorësh, të cilët kanë ngritur pretendime për pasaktësi, mungesë transparence dhe prishje të panevojshme të banesave. Në maj ata i kërkuan Bashkisë Durrës rishikimin e projektit, ndalimin e proceseve që lidhen me prishjen e banesave dhe bizneseve, si dhe informacion mbi fazën e zbatimit të TID-it.
Entela Spahivogli, arkitekte-urbaniste dhe përfaqësuese e banorëve të prekur nga TID-i, e interpretoi vendimin e fundit si një zhvillim të rëndësishëm, por bëri dallimin mes tij dhe anulimit të projektit.
“Ky akt nuk e shfuqizon drejtpërdrejt projektin TID Durrës. Megjithatë, ai prek territorin dhe disa objekte (mbi 20) që ndodhen brenda këtij territori, për prishje sipas projektit TID Durrës”, shkroi Spahivogli.
Sipas saj, këto objekte nuk mund të trajtohen më sipas skenarit fillestar mbi të cilin është ndërtuar projekti. Spahivogli argumentoi se situata krijon një bazë të re për pezullimin dhe rishikimin e TID-it, ndërsa vetë VKM-ja e 30 korrikut nuk parashikon pezullimin apo shfuqizimin e projektit.
Urbanisti dhe planifikuesi urban Artan Kacani e cilësoi zhvillimin si fitore të banorëve.
“Zona 5 e Rindërtimit në lagjen Kala është shfuqizuar nga AKPT. Kjo është një fitore e banorëve që prej muajsh po luftojnë për shtëpitë, pronën dhe të drejtën për të mos u dëbuar nga lagjja e tyre”, shkroi Kacani, duke kërkuar publikimin e arsyeve të shfuqizimit dhe verifikimin e bazës mbi të cilën ishin planifikuar më parë shembjet.
Një interpretim më të drejtpërdrejtë në raport me TID-in bëri anëtari i Këshillit Bashkiak Durrës, Ardian Muka.
“Me shfuqizimin e VKM në lidhje me projektin TID në zonën e parkut arkeologjik në Durrës, qeveria shqiptare u tërhoq nga një projekt abuziv dhe pa transparencë”, shkroi Muka.
Por tërheqja e qeverisë nga TID-i nuk përcaktohet në vendimin e 30 korrikut. Një interpretim i ngjashëm u përcoll nga media të ndryshme, ku shfuqizimi i VKM-së u lidh drejtpërdrejt me tërheqjen nga projekti. Dokumentet tregojnë se vendimi i shfuqizuar lidhej me Zonën e Re për Zhvillim dhe procesin e rindërtimit, ndërsa VKM-ja e re nuk përmban një dispozitë që anulon TID Durrës.
Për banorët që prej muajsh kundërshtojnë projektin dhe prishjen e banesave, vendimi është pritur si një zhvillim pozitiv. Kundërshtimi i tyre nuk është fokusuar vetëm te shpronësimet, por edhe te vetë prishjet dhe mënyra e zbatimit të projektit në zonën historike.

Bashkia Durrës, ndërkohë, nuk ka dhënë një sqarim publik për ndikimin që vendimi i fundit mund të ketë mbi projektin TID dhe ka vijuar komunikimin institucional me promovimin e aktiviteteve lokale. Edhe në muajin maj, kur banorët protestuan dhe depozituan një kërkesë zyrtare për informacion mbi projektin, Bashkia nuk pati reagim publik për protestën dhe takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e tyre.
Vetë VKM-ja e 30 korrikut e rendit Bashkinë Durrës mes institucioneve të ngarkuara me zbatimin e vendimit.
Dokumentet krijojnë kështu një kronologji të qartë, në vitin 2020 u shpall Zona e Re për Zhvillim; në vitin 2021 Bashkia miratoi PDYV-në e Zonës 5 në funksion të rindërtimit, ndërsa më 30 korrik 2026 qeveria shfuqizoi aktin fillestar që kishte shpallur këtë zonë.
Për TID Durrës, megjithatë, nuk ka një akt anulimi. Ndryshimi prek, sipas Spahivoglit, mbi 20 objekte dhe hap diskutimin mbi mënyrën se si institucionet do të procedojnë me pjesën e projektit që mbivendoset me këtë territor.
“TID Durrës duhet të pezullohet dhe të rishikohet mbi realitetin e ri juridik dhe urbanistik”, përfundoi Spahivogli.
Vendimi i 30 korrikut nuk përcakton se çfarë do të ndodhë më tej me TID Durrës, por shfuqizimi i aktit që qëndronte në fillesat e Zonës 5 krijon një situatë të re për objektet ku ndërhyrjet mbivendosen. Në mungesë të një sqarimi nga Bashkia Durrës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, mbetet e paqartë se si ky ndryshim do të reflektohet në vijimin e projektit dhe në fatin e banesave të prekura, për të cilat banorët vazhdojnë betejat ligjore dhe protestat pa u ndalur.