Rregullorja e re e GJKKO-së shkakton reagimin e organizatave të medias

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila hyn në fuqi më 1 shtator, vendos kufizime të reja për përdorimin e pajisjeve elektronike dhe praninë e mediave në ambientet e gjykatës. Organizatat në mbrojtje të gazetarëve kërkojnë rishikimin e saj, duke argumentuar se cenon lirinë e medias.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka miratuar një rregullore të re të brendshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe parashikon ndryshime në kontrollin e aksesit, përdorimin e pajisjeve elektronike dhe praninë e mediave në ambientet e gjykatës. 

Ndër ndryshimet kryesore është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike brenda sallave të gjykimit, me përjashtim të rasteve kur ato përdoren për qëllime procedurale ose institucionale. 

Rregullorja ka shkaktuar reagimin e dy organizatave të medias, të cilat e konsiderojnë atë kufizuese për ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) e cilëson rregulloren dhe komentin shoqërues si dokumente që “shkelin Ligjin Themelor dhe Konventën Europiane”, duke argumentuar se ato vendosin procedura burokratike dhe kufizime të reja për praninë e gazetarëve, regjistrimet dhe raportimin nga ambientet e GJKKO-së. Organizata i ka bërë thirrje gjykatës të rishqyrtojë dokumentet dhe u është drejtuar edhe partnerëve ndërkombëtarë që mbështesin reformën në drejtësi për të ndërhyrë, në mënyrë që këto kufizime të mos kthehen në një model censure ndaj medias. 

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka shprehur shqetësim për rregulloren, duke e cilësuar veçanërisht problematik ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë seancave gjyqësore.

“Telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut. Ndalimi i tij nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik”, thuhet në reagimin e AGSH-së. 

Organizata i ka kërkuar GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të hapë një proces konsultimi me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, komunitetin e gazetarëve dhe organizatat e medias, duke argumentuar se një akt me ndikim të tillë mbi lirinë e medias nuk duhet të miratohet pa dialog dhe transparencë. 

Rregullorja pritet të ketë ndikim edhe në mënyrën e ushtrimit të profesionit të avokatëve, pasi ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore zbatohet edhe për ta.

Lidhur me këtë, kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia, deklaroi për Report TV se rregullorja është hartuar pa transparencë dhe pa bazë ligjore. Ai tha se do t’u propozojë strukturave të Dhomës së Avokatisë bojkotimin e seancave në GJKKO, duke e cilësuar rregulloren të hartuar pa transparencë dhe të publikuar në një periudhë kur shumë institucione janë në pushime.