Protestë në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe
Qytetarë protestuan në Shkodër kundër planit për hapjen e një konsullate të Serbisë në qytet, duke e cilësuar nismën provokuese dhe të papranueshme. Debati u rikthye pas deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Marko Đurić, se Serbia synon të hapë një konsullatë në Shkodër, në kuadër të diskutimeve për zgjerimin e pranisë konsullore mes dy vendeve.
Gjatë protestës në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe. Foto: Emi Kalaja
Dhjetëra qytetarë protestuan të hënën në Shkodër kundër planit për hapjen e një konsullate të Serbisë në qytet, duke kërkuar që nisma të mos realizohet.
Protestuesit nisën marshimin nga sheshi pranë shtatores së heroit Isa Boletini dhe marshuan drejt godinës së Bashkisë Shkodër. Gjatë tubimit ata mbanin pankarta me mbishkrime si “Jo konsullatës serbe në Shkodër”, “Shkodra nuk harron”, “Jo normalizim pa drejtësi” dhe “Pa kërkuar falje nuk ka pajtim”.
Protestuesit e cilësuan hapjen e një konsullate serbe në Shkodër si një akt të pavend dhe provokues. Sipas tyre, Serbia nuk ka kërkuar ende falje zyrtare për krimet e luftës dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndaj hapja e një përfaqësie diplomatike në këtë moment është e papranueshme.

Ideja për hapjen e konsullatës u bë publike pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Đurić, i cili njoftoi se Beogradi synon të hapë një konsullatë në Shkodër. Deklarata lidhet me diskutimet mes Shqipërisë dhe Serbisë për zgjerimin e pranisë konsullore në të dy vendet.
Nga pala shqiptare, diskutimet lidhen me kërkesën për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc, me synimin për t’u ofruar shërbime konsullore shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këtë kuadër, pala serbe ka shprehur interes për hapjen e një konsullate në Shkodër.
Deri më tani nuk është bërë publik një vendim përfundimtar për hapjen e konsullatës, ndërsa protesta në Shkodër është ndër reagimet e para publike kundër kësaj nisme.