Sulmohet gazetari Elton Qyno, në kërkim gruaja e Florenc Çapjas dhe i ati

Gazetari Elton Qyno, u sulmua fizikisht, ndërsa Policia shpalli në kërkim Rosela Nallbatin alias Çapja dhe babanë e saj, Romir Nallbati. Pas ngjarjes, organizatat e medias dënuan sulmin ndaj gazetarit dhe kërkuan zbardhjen e plotë të rrethanave, si edhe garantimin e sigurisë së tij.

Gazetari i kronikës Elton Qyno u sulmua fizikisht të enjten, në ambientet e Spitalit Amerikan 3 në Tiranë, ku kishte shkuar për të kontaktuar një mjek, ndërsa policia shpalli në kërkim Rosela Nallbatin alias Çapja dhe babanë e saj, Romir Nallbati.

Sipas gazetarit, sulmi ndodhi papritur, në prani të personave të tjerë që ndodheshin në spital. Qyno tha se u godit me celular dhe u ofendua nga një grua, e cila më pas u identifikua nga policia si Rosela Nallbati alias Çapja.

“Në befasi dhe në prezencë të dhjetëra personave, ndërsa kam qenë ulur, jam ndeshur menjëherë me veprime të dhunshme nga ana e një shtetaseje të panjohur, e cila më ka qëlluar me celular dhe më ka ofenduar. Së bashku me të ka qenë edhe një burrë”, tha gazetari Elton Qyno për Amforën.

Menjëherë pas ngjarjes, Qyno bëri kallëzim në polici.

“Pas verifikimeve, policia sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë dhe shpalli në kërkim Rosela Nallbatin alias Çapja dhe babanë e saj, Romir Nallbati”, tha Qyno.

Rosela Nallbati alias Çapja është bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit. Ai është dënuar gjithashtu nga Gjykata e Posaçme për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Sokol Sanxhaktarit. Në kallëzimin e tij, gazetari ka deklaruar gjithashtu se kishte marrë më herët kërcënime me jetë përmes aplikacioneve në internet. 

Pas sulmit reagoi Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili e dënoi dhunën ndaj gazetarit dhe kërkoi nga Policia e Shtetit të garantojë sigurinë e tij, duke e cilësuar ngjarjen një tregues të rrezikut me të cilin përballen gazetarët që raportojnë për krimin.

“Sulmi dhe kërcënimi i fundit që tashmë është proces në hetim, përbën një rast të dënueshëm dhe rikonfirmon rishtazi se sa agresivë dhe të rrezikshëm janë grupet kriminale ndaj gazetarëve raportues në realitetin e sotëm shqiptar. Për këtë arsye i drejtohemi Policisë së Shtetit të marrë në mbrojtje gazetarin dhe të garantojë sigurinë e tij për ushtrimin e detyrës”, thuhet në reagimin e UGSH.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi sulmin, duke e cilësuar një cenim të rëndë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar. Organizata kërkoi që hetimet të zhvillohen me shpejtësi, paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Çdo formë dhune, kërcënimi apo intimidimi ndaj gazetarëve përbën një cenim të rëndë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë nga sulmet apo hakmarrja për shkak të raportimeve të tyre”, deklaroi Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Aktualisht pjesë e redaksisë së Syri TV, Elton Qyno numëron mbi 21 vite përvojë si gazetar i kronikës në disa prej mediave kryesore në vend. Sulmi ndaj tij lidhet me ushtrimin e detyrës dhe raportimet e tij nga policia, prokuroria dhe gjykata.