SPAK dërgon për gjykim dosjen penale ndaj Ervis Martinajt dhe 9 të tjerëve
SPAK ka dërguar për gjykim procedimin penal ndaj 10 të pandehurve, mes tyre edhe Ervis Martinaj, për disa vepra të rënda penale. Hetimet lidhen me disa ngjarje kriminale të ndodhura në Shkodër, ndërsa për persona të tjerë të dyshuar procedimi vijon në një çështje të veçantë.
Ndërtesa e SPAK. Foto ilustruese nga Media Amfora
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal të vitit 2023 për 10 të pandehur, mes tyre edhe për Ervis Martinajn, për një sërë veprash të rënda penale, që përfshijnë vrasje me paramendim, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Sipas SPAK, Ervis Martinaj akuzohet për vrasjen me paramendim të Gjin Ndojit (Boriçi), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, si edhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e Kleant Musabelliut. Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa është denoncuar i zhdukur nga familjarët që prej vitit 2022.
Në të njëjtën dosje për procedimin penal numër 9/2 të vitit 2023, është dërguar për gjykim edhe Denis Brajoviq, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit, sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, si edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj Klaodor Hakajt, Prekë Kodrës, Aleks Ndrekës, Nuredin Dumanit dhe Bardhyl Mavrajt, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Eljon Hato dhe Arsad Bashli akuzohen për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë ndaj Taulant Pepës në Shkodër, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Për veprën e korrupsionit aktiv është marrë i pandehur edhe Bardhyl Mavraj.
Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto ngjarje kriminale është vendosur ndarja e procedimit penal dhe hetimet vijojnë në një çështje të veçantë.