Protestë para Kuvendit, protestuesit godasin me vezë automjetet e deputetëve
Qytetarë të mbledhur në protestë para Kuvendit të Shqipërisë qëlluan me vezë automjetet e deputetëve dhe ministrave gjatë mbërritjes së tyre në seancën plenare. Protesta u zhvillua nën masa të forta sigurie dhe u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe përfaqësuesve politikë.
Protestuesit përballë efektivëve të policisë gjatë protestës para Kuvendit. ” Screenshot” nga video e ndarë nga gazetari Andi Llabuti
Protesta e organizuar paraditen e së hënës para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione, ndërsa protestuesit qëlluan me vezë automjetet e deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë gjatë mbërritjes së tyre në Kuvend për seancën plenare.
Mes automjeteve të goditura ishin ato të ministrit Bledi Çuçi dhe ministres Mirela Kumbaro. Në vezët e hedhura drejt mjeteve protestuesit kishin shkruar emrat e kryeministrit Edi Rama dhe të deputetëve.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para godinës së Kuvendit dhe më pas u zhvendosën drejt hyrjes kryesore, nga ku pritej të hynin deputetët. Perimetri i institucionit u rrethua me barriera metalike dhe forca të shumta policie, ndërsa efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë monitoruan situatën gjatë gjithë tubimit.
“Nuk na përfaqësoni!”, “Arrestoni Ramën!”, “Parlament i krimit!”, “Arresto Ballukun!” dhe “Parlament analfabet!” ishin disa nga thirrjet e protestuesve.
Tensione u shënuan edhe në momentin e mbërritjes së kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili u përball me thirrjet e protestuesve teksa po hynte në Kuvend. Gjatë kalimit drejt hyrjes së godinës, disa prej tyre e quajtën atë “hajdut”.
Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha, hynë në Kuvend nga porta pranë Akademisë së Shkencave dhe jo nga hyrja kryesore. Berisha përshëndeti mediat me dy gishta lart para se të hynte në seancën plenare.
Protestuesit nuk e kaluan perimetrin e sigurisë të vendosur nga policia. Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka njoftime zyrtare për persona të shoqëruar apo incidente të tjera.
Protesta para Kuvendit u zhvillua paralelisht me mobilizimin e përditshëm qytetar që vijon prej javësh në Tiranë. Organizatorët kanë njoftuar se edhe mbrëmjen e sotme qytetarët do të mblidhen në Sheshin “Skënderbej”, në protestën e 51-të radhazi të lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi pas përplasjeve në Zvërnec dhe është shndërruar në një tubim të përnatshëm me kauza më të gjera qytetare.