Zbulohet arsenal armësh në Durrës, goditet edhe shitja e tritolit në Tiranë

Policia zbuloi në Manzë të Durrësit një arsenal armësh dhe municionesh, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, ndërsa arrestoi një 20-vjeçar. Në një operacion tjetër në Tiranë u arrestua një 52-vjeçar që dyshohet se transportonte granata luftarake dhe tritol me qëllim shitjen e tyre.

Dy operacione të zhvilluara nga Policia e Shtetit në Durrës dhe Tiranë çuan në sekuestrimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse, ndërsa në pranga ranë dy persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme.

Në Durrës, policia finalizoi operacionin e koduar “Baza”, pas të cilit u zbulua një arsenal armësh dhe municionesh luftarake, që sipas hetimeve paraprake shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Gjatë kontrollit në banesën e një 20-vjeçari në fshatin Manzë në Durrës u sekuestruan katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular. I riu u arrestua në flagrancë.

“Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë”, njoftoi Policia e Shtetit të dielën.

Sipas policisë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Në një operacion të dytë, të koduar “Porosia”, Policia e Tiranës arrestoi një 52-vjeçar nga Fushë-Kruja, i cili dyshohet se transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe lëndë plasëse (tritol) me qëllim shitjen e tyre.

Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, policia sekuestroi dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues, 600 gramë tritol, një pjesë e së cilës ishte e pajisur me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe gjashtë kapsolla detonatore.

“Po transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe lëndë plasëse (tritol), me qëllim shitjen e tyre”, tha policia të hënën.

Materialet procedurale për të dy rastet iu referuan prokurorive përkatëse për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme procedurale.