Ndërron jetë në një aksident gazetari Enrik Mehmeti

Gazetaria shqiptare humbi të shtunën një nga zërat e saj më të njohur në Vlorë. Enrik Mehmeti, reporter me mbi dy dekada përvojë në terren, humbi jetën në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor të ndodhur në zonën e Dajlanit në qytetin bregdetar.

Foto kortezie e përpunuar dhe e marrë nga profili në "Facebook" i gazetarit Enrik Mehmeti

Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmjen e së shtunës pas një aksidenti të ndodhur në zonën e Dajlanit në Vlorë, teksa ai po lëvizte me një motor.

40 vjeçari Mehmeti prej më shumë se dy dekadash ushtronte profesionin e gazetarit, duke raportuar kryesisht për zhvillimet në Qarkun e Vlorës dhe ishte i njohur gjerësisht në të gjithë vendin për historitë që sillte në ekran,

Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, aksidenti ndodhi rreth orës 21:40, në një sipërfaqe bregdetare jashtë zonës rrugore, ku dyshohet se motomjeti me katër rrota (ATV) që drejtonte Mehmeti doli nga kontrolli dhe u përmbys. 

Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Në motomjet ndodhej edhe një 18-vjeçar, i cili pësoi dëmtime të lehta, ndrësa rrethanat e aksidentit po hetohen nga prokuroria.

Për mijëra teleshikues dhe lexues, Enrik Mehmeti ishte fytyra e raportimeve nga Vlora për televizionin “News 24”. Për më shumë se njëzet vjet ai ndoqi nga afër ngjarjet që shënuan jetën e qytetit dhe të qarkut, duke raportuar me shpejtësi nga vendngjarja për ngjarjet kriminale, zhvillimet sociale dhe historitë njerëzore – që ishin pjesë e përditshmërisë së tij profesionale.

Karrierën e ndërtoi në terren për vite me radhë si korrespondent i “News 24”, ndërsa bashkëpunoi edhe me BalkanWeb, Gazetën Shqiptare dhe media lokale në Vlorë.

Përtej raportimit, Mehmeti ishte i përfshirë edhe në jetën e komunitetit të gazetarëve. Ai drejtonte degën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për Qarkun e Vlorës dhe ishte nismëtar i çmimeve “Petro Marko”, një përpjekje për të vlerësuar gazetarinë lokale dhe punën e reporterëve në këtë qark.

Në reagimin e tij, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e kujtoi si një gazetar energjik, të angazhuar në kauza qytetare dhe sociale, një koleg që e shihte gazetarinë jo vetëm si profesion, por edhe si përgjegjësi ndaj komunitetit. 

“Si gazetar pasionant Enriku ishte mik dhe bashkëpunëtor me dhjetra intelektualë, artistë dhe sportistë të qytetit dhe zonave të tjera të vendit”, shkroi Unioni në “Facebook”.

Po ashtu Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e vlerësoi për profesionalizmin, seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin informoi publikun për vite me radhë.

“Largimi i parakohshëm i Enrikut është një humbje e rëndë për familjen e tij, të afërmit, kolegët, miqtë dhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë. Për vite me radhë ai raportoi me përkushtim nga qarku i Vlorës, duke u dalluar për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e tij në informimin e publikut”, u shpreh Asosacioni në një deklaratë.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u përhap me shpejtësi në redaksitë e mediave shqiptare dhe në rrjetet sociale, duke sjellë mesazhe ngushëllimi nga kolegë, miq dhe qytetarë që e kishin njohur përmes punës së tij.

Enrik Mehmeti u largua në kulmin e pjekurisë profesionale. Ai la pas bashkëshorten, dy fëmijët e vegjël, familjen, miqtë dhe një boshllëk në gazetarinë e Vlorës, qytetit që e raportoi çdo ditë dhe të cilit i kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale.