Qendra e Shirokës me kalldrëm të dëmtuar katër vjet pas përfundimit të rikualifikimit

Qendra e Shirokës, e rikualifikuar me një investim prej rreth 410 milionë lekësh paraqitet me kalldrëm të dëmtuar dhe pllaka të thyera. Sipas Bashkisë Shkodër dëmtimet janë shkaktuar nga kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë punimeve në aksin Shirokë-Zogaj, ndërsa riparimi do të kryhet vetëm pas përfundimit të tyre.

Pllakat dekorative të thyera dhe kalldrëmi i dëmtuar po vështirësojnë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve në qendër të Shirokës, një prej pikave më të frekuentuara përgjatë brigjeve të Liqenit të Shkodrës.

“Bashkia Shkodër ka konstatuar dëmtimin e kalldrëmit në qendrën e Shirokës”, tha bashkia.

Ndonëse sheshi i Shirokës u rikualifikua pak vite më parë, kalldrëmi në qendër të zonës turistike ka nisur të shfaqë dëmtime. Periudha e garancisë së punimeve ka përfunduar, ndërsa bashkia i lidh dëmtimet me punimet infrastrukturore që po zhvillohen në zonë.

“Shkaku kryesor i dëmtimit është kalimi i mjeteve të tonazhit të lartë për realizimin e punimeve në aksin rrugor Shirokë-Zogaj”, sqaroi Bashkia Shkodër në përgjigjen zyrtare për Amforën.

Sipas bashkisë, ndërhyrja për rikthimin e kalldrëmit në gjendjen e mëparshme nuk do të kryhet menjëherë. Institucioni argumentoi se riparimi është planifikuar pas përfundimit të punimeve në aksin rrugor Shirokë–Zogaj, për të shmangur dëmtime të tjera nga qarkullimi i mjeteve të rënda.

“Riparimi i kalldrëmit të dëmtuar është një nga prioritetet e Bashkisë Shkodër, i cili pritet të vlerësohet pas mbylljes së punimeve të aksit rrugor Shirokë-Zogaj”, tha institucioni.

Investimi për rikualifikimin urban të sheshit të Shirokës u realizua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në emër të Qeverisë Shqiptare. Kontrata me Bashkinë Shkodër u lidh në maj të vitit 2018, me një vlerë prej rreth 410 milionë lekësh me TVSH, ndërsa punimet nisën në gusht të po atij viti dhe përfunduan me marrjen në dorëzim përfundimtar më 27 shtator 2022.

Ky investim ishte pjesë e projektit “Rikualifikimi i bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës”, i cili synonte të përmirësonte infrastrukturën publike dhe ta kthente Shirokën në një destinacion turistik. Megjithatë, vetëm disa vite pas përfundimit të punimeve, kalldrëmi në qendër të zonës ka nisur të shfaqë dëmtime.

Dëmtimet në kalldrëmin e qendrës së Shirokës. Foto: Media Amfora

Projekti përfshiu rikonstruksionin e rreth 20 mijë metrave katrorë hapësirë publike, restaurimin e fasadave, ndërtimin e çative të reja, krijimin e parkimit publik, shtrimin e sheshit me pllaka mozaiku, ndriçimin publik, rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si edhe gjelbërimin e zonës.

Sipas dokumentacionit të projektit, ndërhyrja ishte konceptuar për të ruajtur identitetin historik, urban dhe natyror të Shirokës, ndërsa gjendja aktuale e kalldrëmit ngre pikëpyetje për mirëmbajtjen e këtij investimi pas përfundimit të punimeve.

Pllakat dekorative janë të thyera ose të zhvendosura, ndërsa kalldrëmi në pjesë të ndryshme të sheshit ka pësuar dëmtime që e bëjnë lëvizjen më të vështirë si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Në disa raste, drejtuesit e mjeteve shmangin gropat duke iu afruar zonës së këmbësorëve.

Shiroka, së bashku me Zogajn, është ndër destinacionet më të frekuentuara në brigjet e Liqenit të Shkodrës. Gjatë sezonit veror zona vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj, ndërsa mirëmbajtja e infrastrukturës publike mbetet një element i rëndësishëm për funksionimin e saj si destinacion turistik.