Miratohet plani për barazinë gjinore në Durrës, pasi u rrëzua për shkak të terminologjisë

Pas një tjetër debati në Këshillin Bashkiak të Durrësit, plani për barazinë gjinore u miratua me 27 vota pro dhe 6 kundër, pasi në relacionin shoqërues u bënë ndryshime në terminologjinë që kishte penguar miratimin e tij në mbledhjen e kaluar.

Në të dytën mbledhje radhazi, Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030 u shoqërua me debate në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Në mbledhjen jashtë radhe të zhvilluar të premten, këshilltarët miratuan projektvendimin me 27 vota pro dhe 6 kundër, pasi në relacionin shoqërues ishin bërë ndryshime në terminologjinë që kishte penguar miratimin e tij në mbledhjen e 11 korrikut.

Këshilltarja demokrate Edlira Harizi kërkoi nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, më shumë të dhëna për shërbimet sociale dhe mbështetjen që u ofrohet kategorive në nevojë, duke theksuar se nënat kryefamiljare duhet të kenë më shumë mbështetje nga institucionet vendore.

“Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet nënave kryefamiljare, që rrisin të vetme fëmijë jetimë dhe mbajnë barrën ekonomike. Për këto familje nevojiten politika më të mirëmenduara dhe më aktive për punësimin e nënave, mbështetje sociale dhe akses për fëmijët e tyre”, tha Harizi.

Në përgjigje, kryebashkiakja Emiriana Sako tha se Bashkia e Durrësit ofron shërbime sociale përmes shtatë qendrave, katër prej të cilave janë hapur gjatë mandatit të saj. Ajo theksoi gjithashtu se miratimi i planit lidhet edhe me financimin që përfiton bashkia nga qeveria.

“Ky plan është një instrument shumë i rëndësishëm për grantin që merr Bashkia e Durrësit nga Qeveria Shqiptare. Me planin e miratuar do të marrim rreth 9.5 milionë lekë më tepër, ndërsa me planin e refuzuar do ta humbnim këtë mundësi”, tha Sako.

Dokumenti është një strategji e hartuar nga Bashkia e Durrësit për të orientuar politikat vendore në fushën e barazisë gjinore gjatë pesë viteve të ardhshme. Ai synon të përmirësojë qasjen në shërbime për gratë dhe burrat, të fuqizojë ekonomikisht gratë, të rrisë pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe të forcojë mekanizmat për parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Hartimi i planit është mbështetur teknikisht nga UN Women Albania në kuadër të projektit EU4GE II, të financuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë debatit, këshilltari Florian Tahiri, i cili në mbledhjen e kaluar kishte abstenuar, deklaroi se këtë herë votoi pro pasi në relacion ishte hequr termi “transformim gjinor”, të cilin e kishte kundërshtuar më parë.

Pas miratimit të projektvendimit, këshilltari Ardian Muka kritikoi votën e shumicës, duke argumentuar se ligji mbi të cilin mbështetet plani është i gabuar dhe duke u drejtuar këshilltarëve të shumicës me fjalët: “Do t’ju dënojë historia.”

Nëntë pikat e tjera të rendit të ditës, pjesa më e madhe e të cilave lidhej me procesin e rindërtimit, u miratuan me votat e të gjithë këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.

Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030 nuk arriti të miratohej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të 11 korrikut, pasi debatet u përqendruan te interpretimi i termit “qasje transformuese gjinore”. Pas ndryshimeve të bëra në terminologjinë e relacionit shoqërues, projektvendimi u rikthye për shqyrtim në mbledhjen jashtë radhe të së premtes, ku u miratua me votat e shumicës.