SPAK çon për gjykim katër shtetas spanjollë të akuzuar për pastrim parash

SPAK dërgoi për gjykim katër shtetas spanjollë të akuzuar për pastrim parash, duke i konsideruar pjesë të një skeme që përdorte kompani pa aktivitet real për qarkullimin e fondeve me origjinë të dyshuar kriminale. Sipas hetimeve, një pjesë e fondeve u përdorën për blerjen e 23.16 hektarëve tokë në Dhërmi, me vlerë mbi 1.6 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të martën se ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin ndaj Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere, të akuzuar për pastrim parash, ndërsa tre prej tyre akuzohen edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare ‘Wingwort’ sh.p.k., ‘Wortnova’ sh.p.k. dhe ‘Wortend’ sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Procedimi penal është regjistruar nga SPAK gjatë vitit 2024 dhe është përqendruar te aktiviteti i tre shoqërive tregtare të krijuara në Shqipëri, për të cilat prokuroria dyshon se janë përdorur për qarkullimin e fondeve me origjinë të dyshuar kriminale.

Sipas organit të akuzës, këto kompani janë përdorur për të futur në ekonominë formale fonde me origjinë të dyshuar kriminale. Hetimet kanë evidentuar transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si edhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja të lidhura me personat nën hetim.

Një pjesë e fondeve të dyshuara, sipas SPAK, u përdor për investime në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera. Në fokus të hetimit është edhe blerja e dy pronave në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt një vlere prej mbi 1.6 milionë euro.

“Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë”, njoftoi SPAK.

Hetimet kanë evidentuar gjithashtu se shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka kryer qarkullime financiare që nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike. Sipas SPAK, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje automjetesh dhe pasurish me vlerë të lartë.

Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve është siguruar informacion edhe nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës. Sipas këtij informacioni, disa prej të pandehurve rezultojnë subjekt hetimi në Spanjë për vepra penale të mashtrimit.

Nga analiza e provave, SPAK vlerëson se Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues në krijimin dhe funksionimin e skemës së dyshuar, duke administruar shoqëritë tregtare, duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme. Ndërsa për Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo, organi i akuzës dyshon se kanë marrë pjesë në strukturë përmes roleve të tyre formale në shoqëritë tregtare, duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të aktivitetit ekonomik dhe në qarkullimin e fondeve.

Sa i përket Doris Pere, SPAK dyshon se ka ndihmuar funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin e adresave për shoqëritë tregtare dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. Në përfundim të hetimeve, SPAK vlerëson se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.