Arrestimet pas protestës para Kuvendit, 19 protestues lanë qelinë pas vendimit të gjykatës
Gjykata e Tiranës caktoi masa më të lehta sigurie për protestuesit e arrestuar pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Vetëm dy prej tyre u lanë në arrest shtëpie, ndërsa 19 protestues dolën nga qelia pas vendimit.
Sallë gjyqi. Foto ilustrative: Media Amfora
Gjykata e Tiranës caktoi më 5 korrik masat e sigurisë për protestuesit e arrestuar pas përplasjeve të 2 korrikut para Kuvendit, duke lënë në arrest shtëpie dy prej tyre, ndërsa 19 protestues dolën nga qelia pas vendimit të gjykatës.
Sipas vendimit, dy protestues u lanë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa pjesa tjetër u lirua me masa më të lehta sigurie ose pa masë sigurie. Seanca për caktimin e masave u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, ku jashtë ambienteve të saj u mblodhën familjarë, aktivistë dhe qytetarë në mbështetje të të arrestuarve.
Protestuesit u arrestuan pas tubimit të zhvilluar më 2 korrik përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Një ditë pas protestës, më 3 korrik, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 19 personave dhe procedimin penal të 12 të tjerëve. Sipas policisë, të arrestuarit akuzohen se kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e policisë, dëmtuan një automjet policor dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë protestës. Policia bëri të ditur gjithashtu se gjatë përplasjeve mbetën të lënduar 15 punonjës policie, ndërsa u dëmtua një automjet i saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Pas protestës, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkoi hetim për rastet e dhunës ndaj gazetarëve gjatë mbulimit të ngjarjes, ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti shqetësime për përdorimin e gazit lotsjellës dhe të forcës nga Policia e Shtetit, duke kërkuar hetim për çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.