Nis zbatimi i vendimit të Këshillit Bashkiak për parkimin me pagesë në Durrës
Vijëzimet për parkimet me pagesë kanë nisur në disa prej rrugëve dhe shesheve të Durrësit, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të Këshillit Bashkiak. Sistemi përcakton zonat ku do të aplikohet parkimi me pagesë, tarifat, oraret e administrimit dhe rregullat për rezidentët.
Parkimi pranë Sheshit “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve. Foto: Media Amfora
Bashkia e Durrësit ka nisur këtë fund qershori vijëzimin e vendeve të parkimit me pagesë në disa prej akseve kryesore të qytetit, duke vënë në zbatim vendimin e Këshillit Bashkiak që përcakton zonat ku automjetet do të parkojnë me pagesë.
“Miratimin e zonave A dhe B, të destinuara për parkim me pagesë në rrugë, sipas listës së mëposhtme dhe planvendosjes bashkëlidhur”, shkruhet në vendimin nr. 66, të datës 25 qershor të vitit 2024, të Këshillit Bashkiak të Durrësit.
Sipas vendimit, sistemi ndahet në dy zona administrimi. Zona A përfshin 11 nga rrugët me qarkullimin më të lartë në qytet, ndërsa Zona B pesë akse të tjera. Krahas tyre, parkimi me pagesë do të shtrihet edhe në shtatë sheshe publike, të përcaktuara në anekset e vendimit.
Nisja e zbatimit të sistemit është shoqëruar me reagime nga qytetarë, të cilët kanë shprehur shqetësime për zgjerimin e zonave me pagesë në një qytet që prej vitesh përballet me mungesë të vendeve të parkimit. Mes çështjeve të ngritura janë edhe mungesa e konsultimeve publike me banorët dhe bizneset, mungesa e hapësirave të dedikuara për biçikleta dhe motomjete, si edhe aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara.
Vendimi përcakton edhe rrugët dhe sheshet ku do të zbatohet sistemi i parkimit me pagesë.
Në Zonën A përfshihen rrugët “Taulantia”, “Currilat”, “Egnatia”, “Pavarësia”, segmenti i parë i rrugës “Aleksandër Goga”, si edhe disa akse të tjera me qarkullim të lartë. Ndërsa Zona B përfshin segmentin e dytë të rrugës “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia” dhe “Hysen Kërtusha”.
Parkimi me pagesë do të aplikohet në sheshin pranë Bar Portofino, në dy sheshet përgjatë rrugës “Mars ’91”, në sheshin poshtë Urës së Dajlanit, në sheshin “Jorgji Ziu” pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, pranë tregut industrial në rrugën “Hysen Myshketa” dhe në sheshin Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës.
Vendimi përcakton edhe mënyrën se si do të administrohet parkimi i banorëve në zonat e përfshira në sistem. Rezidentët do të vijojnë të parkojnë pa pagesë në hapësirat publike mes pallateve, ndërsa për parkimin në rrugët publike pranë njësisë së banimit do të aplikohet një tarifë fikse vjetore.
“Miratimin e tarifës fikse vjetore prej 10.000 lekë përsa i përket parkimit të rezidentëve në zonën A dhe B, për të drejtën e parkimit në rrugët e destinuara për parkim publik me pagesë brenda njësisë së banimit ku janë rezident, vetëm për një automjet”, shkruhet në vendim.
Vendimi përcakton tarifat sipas zonave të administrimit. Në Zonën A parkimi në rrugë do të kushtojë 100 lekë për orë, ndërsa në Zonën B tarifa është 40 lekë për orë. Për parkimin në sheshet publike tarifat ndryshojnë sipas kohëzgjatjes së qëndrimit.
“Zona A, tarifa për vendparkim me pagesë në rrugë: 100 lekë/ora. Zona B, tarifa për vendparkim me pagesë në rrugë: 40 lekë/ora”, shkruhet në vendim.
Vendimi përcakton se gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë do të administrohet nga ora 08:00 deri në 20:00 çdo ditë të javës. Nga 1 tetori deri më 31 maji administrimi do të bëhet nga ora 08:00 deri në 16:00, nga e hëna në të premte.
Zbatimi i parkimit me pagesë vjen në një kohë kur mungesa e një plani të mirëfilltë parkimesh mbetet një nga problematikat kryesore të qytetit. Më herët, Media Amfora ka raportuar se në buxhetin vendor të vitit 2025 Bashkia e Durrësit nuk kishte parashikuar investime për krijimin e vendeve të reja të parkimit. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse zgjerimi i zonave me pagesë do të shoqërohet edhe me shtimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve.
Me nisjen e vijëzimeve në terren, qytetarët do të përballen për herë të parë me zbatimin praktik të sistemit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të shoqërohet edhe me investime për shtimin e vendeve të parkimit dhe përmirësimin e infrastrukturës publike.