Shoqëria civile ngre shqetësime për procedimet pas protestave
Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si po zhvillohen procedimet penale të lidhura me protestat në vend. Ato kërkojnë transparencë institucionale, respektim të garancive procedurale dhe mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve.
Gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë. Foto: Media Amfora
Një grup prej 20 organizatash të shoqërisë civile i bënë thirrje institucioneve publike që të garantojnë proporcionalitet, transparencë dhe respektim të të drejtave procedurale në procedimet penale të lidhura me protestat e njohura si Revolucioni Flamingo, pas raportimeve për dhjetëra qytetarë të përfshirë në hetime.
“Bazuar në raportimet publike të policisë dhe mediave në lidhje me protestën e njohur si Revolucioni Flamingo, janë raportuar të paktën 100 procedime të lidhura me protestat”, shkruhet në deklaratën e organizatave, të bërë publike të mërkurën.
Sipas organizatave, numri i procedimeve të raportuara publikisht kërkon sqarime të mëtejshme institucionale, veçanërisht lidhur me mënyrën e identifikimit dhe njoftimit të personave ndaj të cilëve janë nisur procedimet.
Sipas deklaratës, në disa raste të raportuara publikisht, të rinj kanë mësuar se ndaj tyre ishin nisur procedime vetëm pasi të dhënat e tyre personale ishin shfaqur në media.
Deklarata nënvizon se, nëse këto raportime konfirmohen, ato mund të ngrenë shqetësime serioze për njoftimin në kohë të qytetarëve, mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë, si dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë.
“Pjesëmarrja në një tubim paqësor nuk duhet, në vetvete, të trajtohet si bazë për përgjegjësi penale”, shkruhet në deklaratë.
Organizatat theksojnë se tubimi paqësor mbrohet nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa çdo vlerësim për shkelje të mundshme duhet të jetë individual dhe i mbështetur në baza të qarta ligjore.
Organizatat i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë dhe institucioneve të tjera përkatëse të publikojnë informacion të qartë mbi numrin total të referimeve, procedimeve dhe hetimeve të nisura deri më sot në lidhje me protestat.
Në deklaratë kërkohet gjithashtu që institucionet të sqarojnë kualifikimin ligjor të veprave të pretenduara, statusin procedural të rasteve dhe garancitë e zbatuara gjatë marrjes në pyetje të qytetarëve. Organizatat u bëjnë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe donatorëve që të ndjekin nga afër këto zhvillime në kuadër të monitorimit të të drejtave themelore dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
E nisur si një kundërshtim ndaj projektit turistik të propozuar në Vjosë-Nartë, protesta Revolucioni Flamingo është kthyer në javët e fundit në një lëvizje qytetare me kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik.
Deklarata është nënshkruar nga 20 organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, medias, demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare.