Diaspora mbërrrin me rrugë tokësore për protestën antiqeveritare në Tiranë 

Dhjetëra shqiptarë nga diaspora mbërritën këtë të shtunë në Shqipëri për t’iu bashkuar protestës antiqeveritare të organizuar në Tiranë, e cila shënon ditën e 21-të të mobilizimeve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike në vend. Ata mbërritën në shqipëri me automjete përmes Shkodrës, ndërsa të tjerë kanë lajmëruar se do të mbërrijnë me avionë.

Dhjetëra shqiptarë udhëtuan nga diaspora për t'iu bashkuar protestave në Shqipëri. Foto per Amfora.al nga Elton Laska

Shqiptarët nga diaspora, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Italia mbërritën këtë të shtunë në Shqipëri, për t’iu bashkuar protestës antiqeveritare të organizuar në Tiranë dhe që kërkon reformimin e plotë të klasës politike.

Përgjatë 21 ditëve në protestën që ka nisur kundër qeverisjes së vendit janë bashkuar figura të njohura që jetojnë e punojnë në diasporë dhe është bërë disa herë thirrje prej tyre për t’iu bashkuar protestës në Tiranë, teksa nga Evropa në SHBA komunitetet e shqiptarëve kanë protestuar në qytetet ku jetojnë si pjesë e valës së protestave.

Protesta është pjesë e një serie tubimesh që kanë vijuar prej javësh në Tiranë dhe në qytete të tjera, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe hetime për çështje që lidhen me korrupsionin dhe qeverisjen. 

Sipas protestuesve një nga shqetësimet kryesore mbetet emigrimi i të rinjve, kostoja e jetesës, korrupsioni dhe mungesa e besimit tek institucionet publike. Në protestat e mëparshme janë ngritur gjithashtu akuza ndaj qeverisë për menaxhimin e fondeve publike dhe për mungesë transparence në vendimmarrje. Duke shënjestruar po ashtu edhe opozitën, si të paaftë dhe të korruptuar.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka refuzuar thirrjet për dorëheqje. Në reagimet e tij publike, ai ka deklaruar se një qeveri e zgjedhur me votë nuk largohet nga presioni i protestave, por përmes proceseve demokratike dhe zgjedhjeve. Rama ka argumentuar se legjitimiteti i qeverisë buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga mobilizimet në rrugë.

Kryeministri ka reaguar edhe ndaj përfshirjes së figurave të njohura në rrjetet sociale në protestë. Në deklarata publike ai ka kritikuar disa influencerë që kanë mbështetur tubimet, duke sugjeruar se pjesëmarrja e tyre lidhet më shumë me trendet e momentit dhe ekspozimin në rrjetet sociale sesa me angazhimin politik.

Megjithatë protestuesit vijojnë t’i bëjnë thirrje kryeministrit Rama të japi dorëheqjen dhe t’i hapi rrugë drejtësisë që të hetojë aferat korruptive dhe po ashtu të krijohet fryma për një opozitë të reformuar rrënjësisht nga ajo aktualja.