SPAK sekuestron pasuri me vlerë 150 milionë euro në hetimin për trafik kokaine
SPAK vendosi masa sigurie ndaj 10 personave dhe sekuestro preventive mbi 491 pasuri në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash. Grupi i hetuar dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, ndërsa fitimet janë investuar në kompani, ndërtime, hotele dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Pamje nga godina e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Foto: SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të martën se ka vendosur masa sigurie ndaj 10 personave dhe sekuestro preventive mbi 491 pasuri me vlerë të dyshuar rreth 150 milionë euro, në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
“Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë”, njoftoi SPAK për mediat.
Sipas prokurorisë, hetimet kanë dokumentuar pesë episode të veçanta të trafikimit të kokainës gjatë periudhës 2020-2021, në të cilat janë sekuestruar afro 9 ton lëndë narkotike në Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Kolumbi. Autoritetet shqiptare dyshojnë se përtej këtyre episodeve, grupi ka trafikuar edhe dhjetëra tonë të tjerë kokainë drejt tregut europian, duke siguruar fitime të konsiderueshme nga kjo veprimtari.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit kundër pastrimit të parave që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.
“Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare ‘cash’ për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare”, njoftoi SPAK.
Sipas hetimit, paratë e dyshuara si produkte të aktivitetit kriminal janë investuar kryesisht në sektorët e ndërtimit, hotelerisë dhe shërbimeve, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre dhe integrimin në ekonominë formale. Prokuroria pretendon se një pjesë e skemës është realizuar përmes blerjeve të kuotave në kompani tregtare, qarkullimit të fondeve përmes huave dhe krijimit të historikëve financiarë që synonin të justifikonin burimin e kapitalit.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, nën sekuestro preventive janë vendosur kompani tregtare, kuota aksionesh, automjete, mjete lundruese, 209 llogari bankare si dhe 266 pasuri të paluajtshme në disa qytete të vendit. Mes tyre përfshihen prona në Tiranë, Durrës, Hamallaj, Gjirin e Lalzit, Himarë, Dhërmi, Sarandë, Lezhë, Shkodër dhe Elbasan.
SPAK rendit mes pasurive të sekuestruara dhjetëra vila, apartamente dhe poste parkimi në komplekse rezidenciale e turistike, një strukturë hotelerie në Dhërmi, objekte shërbimi dhe banimi në Tiranë e Kavajë, si dhe pasuri të tjera të lidhura me kompani të përfshira në hetim. Vetëm në zonën e Gjirit të Lalzit janë sekuestruar 121 pasuri të paluajtshme, përfshirë vila, apartamente, njësi shërbimi dhe garazhe.
Operacioni u zhvillua pas ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, ndërsa Policia e Shtetit kreu 23 kontrolle në banesa, ambiente biznesi dhe zyra kompanish. Gjatë operacionit u arrestua Florjan Musaj, ndërsa sipas SPAK dy persona të tjerë që dyshohet se ndodhen në Shqipëri vijojnë të jenë në kërkim. Shtatë persona të tjerë nën hetim ndodhen jashtë vendit.
SPAK tha se hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me “Eurojust”, “Europol” dhe autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane dhe të Amerikës Latine, ndërsa vlera përfundimtare e pasurive të sekuestruara do të përcaktohet gjatë verifikimeve të mëtejshme financiare.