Gërmimet zbulojnë mozaikë të një faze të hershme të Bazilikës së Elbasanit

Mozaikë të një faze më të hershme të Bazilikës Paleokristiane të Elbasanit kanë dalë në dritë gjatë gërmimeve të këtij viti, duke sjellë të dhëna të reja për historinë e qytetit antik të Scampis dhe evolucionin e monumentit. Arkeologët besojnë se kompleksi shtrihet përtej zonës së eksploruar deri më sot.

Mozaikë të një faze të hershme të Bazilikës Paleokristiane në Elbasan janë zbuluar gjatë javëve të para të sezonit të gërmimeve 2026, në kuadër të projektit kërkimor, duke sjellë të dhëna të reja mbi historinë e një prej qendrave më të rëndësishme të antikitetit të vonë përgjatë Rrugës Ignatia  (Via Egnatia)

“Më në fund po dalim në fazën më të hershme të kishës duke nxjerrë mozaikët e kësaj dyshemeje të pazbuluar më parë. Kjo është risia e momentit tani”, tha Elio Hobdari arkeolog. 

Zbulimi po ndihmon studiuesit të kuptojnë më mirë fazat e ndërtimit dhe përdorimit të monumentit, i cili prej vitesh është në qendër të kërkimeve arkeologjike në Elbasan. Bazilika ka kaluar nëpër disa faza transformimi, ndërsa gjetjet e reja po pasurojnë kronologjinë e saj dhe po hedhin dritë mbi zhvillimin e Scampis gjatë shekujve V-VI të erës sonë, kur qyteti përjetoi një periudhë të rëndësishme zhvillimi urban dhe fetar.

“Që të zbulonim mozaik ishte deri diku surprizë, cilësia është shumë e mirë. Ruhen shumë mirë edhe për faktin sepse duke u ndërtuar dysheme të tjera sipër tyre këto janë ruajtur shumë mirë”, tha Hobdari në një intervistë për mediat nga zona ku po bëhen gërmimet. 

Bazilika Paleokristiane ndodhet pranë lagjes “Kala” në zemër të Elbasanit, në një zonë ku shtresat historike të qytetit vijojnë të dalin në sipërfaqe përmes kërkimeve të vazhdueshme arkeologjike. Monumenti konsiderohet ndër më të rëndësishmit e kësaj periudhe për qytetin dhe prej vitesh tërheq vëmendjen e studiuesve për potencialin e tij kërkimor.

Gërmimet e këtij viti zhvillohen në kuadër të projektit “Lagja romake-bizantine jashtë mureve të castrum Scampis-bazilika paleokristiane”, një projekt i Institutit të Arkeologjisë Sipas ekipit kërkimor, qëllimi është identifikimi i fazave të ndërtimit dhe përdorimit të monumentit, si dhe kuptimi më i plotë i zhvillimit urban, ekonomik dhe kulturor të Scampis.

Kërkimet e deritanishme tregojnë se kisha ka pasur të paktën dy rindërtime të rëndësishme me nivel të lartë arkitektonik dhe artistik. Të dhënat mbishkrimore që janë zbuluar ndër vite, në gjuhën latine dhe greke, sugjerojnë bashkëjetesën e traditave të ndryshme kulturore në qytetin e lashtë, ndërsa përmendja e diakoneshave në disa prej tyre vijon të tërheqë interesin e studiuesve.

Një tjetër element që po tërheq vëmendjen e arkeologëve është shtrirja e mundshme e kompleksit. Zona e gërmuar deri tani mund të përfaqësojë vetëm një pjesë të sitit, ndërsa kërkimet e ardhshme pritet të japin një panoramë më të qartë mbi përmasat reale të tij.

“Patjetër që shtrihet edhe më tepër se sa ne shohim. Njolla që është e gërmuar shtrihet në veri dhe pak poshtë sheshit”, tha Hobdari.

Kompleksi arkeologjik bashkëjeton prej dekadash me një tjetër simbol të njohur të qytetit, Rrapin e Bezistanit, monument natyre dhe pikë referimi për shumë breza. Në këtë pjesë të qytetit, trashëgimia natyrore dhe ajo kulturore ndërthuren në të njëjtën hapësirë, duke krijuar një nga zonat më të pasura me vlera historike në Elbasan.

Megjithëse sezoni i gërmimeve sapo ka nisur, zbulimet e para po konfirmojnë potencialin e madh të sitit. Për studiuesit, mozaikët e dalë në dritë nuk përfaqësojnë vetëm një gjetje arkeologjike, por një mundësi për të kuptuar më mirë historinë e Scampis dhe rolin që kjo qendër ka luajtur në rrjetin e qyteteve të zhvilluara përgjatë Via Egnatia-s.

Bazilika Paleokristiane, e zbuluar në vitin 2007 pranë qendrës së Elbasanit, konsiderohet një nga monumentet më të rëndësishme të krishterimit të hershëm në qytet dhe prej vitesh është objekt kërkimesh arkeologjike.

Ndërsa kërkimet vijojnë, çdo shtresë e re që zbulohet nën dyshemetë e bazilikës duket se sjell me vete një pjesë tjetër të historisë së fshehur të Elbasanit.