Nga Zvërneci te “Costa Navarino”, si po e zhvendos Rama debatin
Në dy ditë rresht, kryeministri ka përdorur “Costa Navarinon”, një resort luksoz në Greqi, si pikë krahasimi për projektin në Zvërnec, që në realitet nuk përngjajnë. Përmes këtij shembulli, ai e lidh investimin me ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion elitar turistik në rajon, por pa ofruar transparencë për kundërshtimet e protestuesve.
Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora
“Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë,” shkroi të martën kryeministri Edi Rama në një postim të gjatë kushtuar resortit luksoz në Greqi.
Referenca ndaj Costa Navarinos nuk është e rastësishme. Vetëm një ditë më parë, gjatë mbrojtjes publike të projektit në Zvërnec, Rama e përdori resortin grek si shembull për të argumentuar se investimet e mëdha turistike shpesh kundërshtohen para se të shndërrohen në histori suksesi.
Në postimin e tij, Rama rikthen argumentin se kundërshtimet ndaj investimeve të mëdha turistike nuk janë të reja, duke sjellë si shembull Costa Navarinon, një resort që sipas tij u përball me kritika të ngjashme përpara se të kthehej në një histori suksesi.
Eksperti i komunikimit Evarist Beqiri e lexon këtë qasje si pjesë të një teknike të njohur komunikimi, të quajtur “kornizim” (reframing).
“Debati zhvendoset nga pyetja konkrete te pyetja e përshtatshme. Nga ‘A është ky projekt i ligjshëm?’ te ‘A duam ne që Shqipëria të ketë sukses si Greqia?’. Nga procedura te patriotizmi. Nga dokumenti te ëndrra”, tha pedagogu dhe juristi Evarist Beqiri.
Krahasimi me resortin grek nuk mbeti vetëm te historia e zhvillimit të tij. Gjatë fjalimit të së hënës, Rama e përdori Costa Navarinon si pjesë të një argumenti më të gjerë për ambicien e Shqipërisë për të konkurruar në tregun elitar të turizmit në Mesdhe, duke e lidhur projektin në Zvërnec me shembuj të ngjashëm në rajon.
“Pse duhet të rrimë ne me zili dhe të shikojmë Greqinë për Costa Navarino?”, pyeti Rama gjatë mbrojtjes publike të projektit në Zvërnec.
Në vijim të argumentit të tij, kryeministri solli edhe shembullin e Malit të Zi dhe të Porto Montenegros, duke e paraqitur investimin në Zvërnec si pjesë të një gare më të gjerë rajonale për tërheqjen e turizmit elitar dhe investimeve të mëdha.
“Çfarë do zgjedhim? Do zgjedhim të rrimë ta shikojmë akoma Malin e Zi nga prapa apo do zgjedhim që të parakalojmë edhe Malin e Zi?”, tha ai, ndërsa në një moment tjetër shtoi: “Mund të konkurrojmë ne, duam të konkurrojmë ne me këta?”.
Përmes këtyre krahasimeve, debati për projektin në Zvërnec lidhet me një histori më të gjerë për zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe pozicionimin e saj përballë destinacioneve të konsoliduara në rajon.
“Po si mund të jem unë njëherë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë?”, tha Rama.
Kryeministri iu referua disa herë raportimeve në mediat greke dhe i lidhi ato me debatin që po zhvillohet në Shqipëri për projektin në Zvërnec.
Në këtë mënyrë, debati nuk paraqitet më vetëm si një përplasje rreth një projekti konkret turistik. Ai lidhet me një narrativë më të gjerë, sipas së cilës Shqipëria po hyn në një nivel të ri të konkurrencës turistike në Mesdhe dhe për këtë arsye po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të saj.
Diskutimi i Ramës për Zvërnecin u zhvillua në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ai mbajti një fjalë të gjatë në mbrojtje të projektit. Takimi nuk u zhvillua në formën e një konference për shtyp apo një debati publik me gazetarë, ekspertë dhe grupet që kundërshtojnë projektin.
Forma e zgjedhur për këtë komunikim ka ngjallur reagime edhe në debatet publike. Në një reagim në rrjetet sociale drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, argumentoi se një mbledhje e grupit parlamentar nuk mund të konsiderohet llogaridhënie publike.
“Kryeministri nuk mund ta trajtojë mbledhjen në grupin parlamentar të partisë së tij si llogaridhënie. Ajo formë është një mesazh tjetër se partia vijon të jetë mbi shtetin”, shkroi Krasniqi në rrjetet sociale.
“Transparenca si armik i zhvillimit”
Teksa kryeministri Edi Rama foli gjatë për Costa Navarinon, konkurrencën turistike dhe raportimet në mediat greke, një pjesë e pyetjeve që kanë dominuar debatin publik mbeten pa përgjigje përfundimtare, pasi vetë kryeministri argumentoi se projekti arkitektonik dhe studimi mjedisor nuk janë përfunduar ende.
Organizatat mjedisore, aktivistët dhe qytetarët që kundërshtojnë projektin nuk kanë argumentuar se Shqipëria nuk duhet të zhvillojë turizmin apo të tërheqë investime të mëdha. Kundërshtimet e tyre janë përqendruar te mënyra se si projekti do të ndërhyjë në territor, ndikimi që mund të ketë në ekosistemin e zonës dhe garancitë që ofrohen për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas Beqirit, kundërshtimet ndaj projektit nuk janë ngritur rreth turizmit luksoz në vetvete, por rreth pyetjeve që lidhen me procedurat, zonën e mbrojtur, dhunën ndaj protestuesve dhe procesin e vendimmarrjes.
“Protestat nuk janë për turizmin luksoz. Janë për telat me gjemba, dhunën, zonën e mbrojtur dhe vendimmarrjen okulte. Këto janë pyetje procedurale dhe ligjore. Të mprehta, të dokumentuara, të verifikueshme”, tha ai.
Po ashtu, protestuesit kanë kërkuar më shumë transparencë mbi dokumentacionin e projektit, procesin e vendimmarrjes dhe mënyrën se si do të balancohen interesat ekonomike me mbrojtjen e një prej zonave më të ndjeshme natyrore në vend.
Një vështrim mbi vendndodhjen e Costa Navarinos në raport me Lagunën e Gialovës në Greqi tregon se resorti që solli Rama si shembull nuk është ndërtuar mbi vetë sistemin lagunor. Kompleksi ndodhet në të njëjtin rajon me lagunën dhe plazhin Voidokilia, por zhvillohet në një territor të veçantë nga vetë laguna.

Kjo e bën të rëndësishme pyetjen se deri në çfarë mase Costa Navarino dhe Zvërneci janë raste të krahasueshme, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe për raportin që secili projekt ka me territorin ku zhvillohet.
Vetë Rama e përdor Costa Navarinon si provë se projektet e mëdha turistike mund të bashkëjetojnë me natyrën. Por në fjalën e tij ai nuk u ndal te mënyra se si është realizuar ky ekuilibër në Greqi, cilat kufizime janë vendosur në territor dhe cilat elemente të modelit grek mund të konsiderohen të krahasueshme me rastin e Zvërnecit.
Beqiri argumenton se vetë krahasimi me Costa Navarinon kërkon më shumë sesa referenca te suksesi ekonomik i resortit.
“Costa Navarino nuk është thjesht një resort. Është rezultat i dekadave planifikimi, studimesh mjedisore, konsultimi lokal dhe monitorimi afatgjatë. Krahasimi i plotë do të kërkonte të njëjtat standarde, jo vetëm të njëjtat ambicie”, tha ai.
Sipas tij, nëse Costa Navarino paraqitet si model, atëherë duhet të krahasohen edhe transparenca publike, konsultimi me komunitetin, studimet mjedisore dhe mekanizmat e monitorimit.
Kjo e zhvendos krahasimin nga rezultati final i resortit grek te procesi që e prodhoi atë.
Ndërsa garantoi se Zvërneci nuk ka ende një projekt arkitektonik të miratuar dhe se studimi mjedisor nuk është përfunduar, Rama paraqiti me siguri përfitimet që sipas tij do të sjellë investimi. Gjatë fjalës së tij ai foli për një projekt me vlerë 4 miliardë euro, 10 mijë vende pune dhe një ndikim të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke e përshkruar si një investim që mund ta çojë vendin në “Ligën e Kampionëve” të turizmit global.
Kjo ndodh në një moment kur debati për Zvërnecin po shtrihet përtej polemikave publike. Të hënën, SPAK konfirmoi se ka nisur verifikime lidhur me çështjen e projektit, duke i shtuar një dimension të ri diskutimit që prej ditësh dominohet nga përplasjet politike, protestat dhe narrativat mbi zhvillimin turistik të vendit.
Sipas ekspertëve, debati për Zvërnecin nuk është debat parimor “pro” ose “kundër” zhvillimit.
“Është një debat mbi mënyrën e zhvillimit dhe mbi balancën midis investimit, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik”, tha Beqiri.
Përtej krahasimeve me Costa Navarinon, Malin e Zi apo konkurrencën rajonale, pyetjet që mbeten të hapura lidhen me vetë projektin: si do të ndërtohet, cili do të jetë ndikimi i tij real në territor dhe çfarë do të tregojë studimi mjedisor që ende nuk është paraqitur. Këto janë pikërisht çështjet që do të përcaktojnë nëse krahasimi me modelin grek është i qëndrueshëm apo mbetet thjesht pjesë e narrativës politike që shoqëron debatin.
“Pyetja është nëse narrativa po zëvendëson përgjigjet. Nëse kornizimi po zëvendëson dokumentin. Nëse Costa Navarino po zëvendëson studimin mjedisor”, tha ai.