Rama fshihet pas pronës private, pyetjet për Zvërnecin mbeten pa përgjigje

Kryeministri Edi Rama e paraqiti projektin e Zvërnecit si një mundësi historike për vendin, teksa debati rreth tij po zgjerohet, nga protestat qytetare dhe peticionet ndërkombëtare te hetimet e SPAK. Ndërsa qeveria mbështetet te argumenti i pronës private, mbeten pa përgjigje shqetësimet për ndërhyrjet në Zonën e Mbrojtur.

Ndryshe nga komunikimet e zakonshme nga zyra e tij apo studioja e podcastit, Edi Rama zgjodhi kësaj here Kryesinë e Kuvendit për të mbrojtur publikisht projektin e Zvërnecit. Dalja e posaçme e kryeministrit erdhi pas një fundjave të shoqëruar me tensione në Nartë, protestë qytetare në Tiranë, peticion ndërkombëtar dhe nisjen e hetimeve nga SPAK, ndërsa kreu i qeverisë u përpoq të kundërshtonte atë që i quajti “të pavërteta” mbi një investim që sipas tij mund të ndryshojë të ardhmen turistike të vendit.

Por ndërsa Rama e ndërtoi mbrojtjen e projektit mbi argumentin e pronës private, debati publik ka kohë që është zhvendosur në një terren tjetër. Protestuesit, gazetarët, ekspertët dhe institucionet nuk po pyesin nëse Shqipëria ka nevojë për investime, por nëse janë respektuar procedurat, çfarë ndikimi do të ketë projekti në zonën e mbrojtur të Nartës dhe pse ka ende kaq pak transparencë mbi një nga investimet më të kontestuara të viteve të fundit.

I rrethuar nga ministrat, drejtuesit politikë dhe deputetët socialistë, Rama e paraqiti kundërshtimin ndaj projektit jo thjesht si debat mbi një investim të vetëm, por si sfidë ndaj modelit të zhvillimit që ai pretendon se po ndërton prej vitesh. Në argumentimin e tij, gjatë më shumë se një ore fjalim Zvërneci u shfaq si pjesë e ambicies për ta futur Shqipërinë në hartën e turizmit elitar dhe jo si një konflikt mbi një resort të ri.

“Çfarë më duhet pushteti dhe karrigia, nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite… Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që të mos ketë zili askënd”, tha kryeministri Rama. 

 Nëse vizioni për zhvillimin ishte shtylla e parë e argumentimit të Ramës, prona private ishte shtylla e dytë. Gjatë gjithë fjalës së tij, kryeministri u rikthye vazhdimisht te fakti se toka ku parashikohet të zhvillohet projekti nuk është pronë shtetërore, duke argumentuar se shteti nuk ka rol në negociatat mes investitorëve dhe pronarëve. Pikërisht mbi këtë argument ai ndërtoi një pjesë të konsiderueshme të mbrojtjes së projektit.

“Për projektin e Zvërnecit, duhet të shikoni pronat dhe pronarët, pasi nuk kemi tokë shtet aty. Copëza që mund të jenë shtet, janë krejtësisht të papërfillshme”, tha Rama. 

Por argumenti i pronës private nuk është arsyeja pse debati për Zvërnecin ka dalë prej javësh nga kufijtë e një investimi turistik. Kundërshtimet ndaj projektit u intensifikuan pas ndërhyrjeve në terren në zonën e Nartës, ku aktivistë, banorë dhe organizata mjedisore ngritën shqetësime për ndikimin e mundshëm në një nga ekosistemet më të rëndësishme të bregdetit shqiptar. 

Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata “EuroNatur”kanë paralajmëruar për rreziqet që sipas tyre i kanosen zonës së mbrojtur dhe kanë kërkuar transparencë të plotë mbi dokumentacionin mjedisor dhe procedurat që po ndiqen për projektin. Situata u përshkallëzua gjatë fundjavës, kur pamjet e një protestuesi të tërhequr zvarrë nga punonjës të një kompanie private sigurie në sy të policisë shkaktuan reagime të forta publike dhe e zhvendosën debatin nga vetë projekti te mënyra se si po trajtohej kundërshtimi qytetar. Një ditë më pas, protesta u zhvendos edhe në Tiranë, ku aktivistë, ambientalistë dhe qytetarë kërkuan ndalimin e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur, transparencë për projektin dhe përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke e kthyer çështjen nga një debat lokal në një kauzë me jehonë kombëtare.

Përballë kundërshtimeve, Rama argumentoi se debati publik është mbushur me dezinformim, teori konspirative dhe frikëra të pabazuara. Në disa raste, ai sugjeroi se qytetarët janë manipuluar nga narrativa që sipas tij nuk kanë lidhje me projektin real, duke e paraqitur kundërshtimin jo si reagim ndaj procedurave apo ndikimit mjedisor, por si pasojë e keqinformimit dhe instrumentalizimit politik.

“Është përhapur kudo legjenda se shteti po i fal tokë Izraelit për të sjellë palestinezët në Zvërnec, apo se aty janë disa rusë që do të ndërtojnë pallate”, tha Rama. 

Megjithatë, ndërsa kritikoi teoritë konspirative që sipas tij po qarkullojnë rreth projektit, Rama nuk ngurroi të sugjeronte se kundërshtimi ndaj investimit po ushqehet edhe nga interesa që nuk e duan suksesin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe ekonomik. Në disa momente, ai e paraqiti debatin si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të penguar projektet që sipas tij mund ta çojnë vendin në një tjetër nivel zhvillimi.

“Kjo është konkurrencë. Kemi hyrë në një territor shumë të ndryshëm nga ai ku kemi qenë”, tha Rama. 

Një nga pjesët më interesante të fjalimit ishte sqarimi i Ramës mbi fazën në të cilën ndodhet projekti. Kryeministri argumentoi se investimi nuk ka ende një projekt arkitektonik të miratuar dhe se studimi mjedisor vazhdon të përgatitet nga grupet ndërkombëtare të angazhuara nga investitorët. Megjithatë, pikërisht ky proces i papërfunduar ka ushqyer një pjesë të shqetësimeve publike, pasi ndërkohë zona është rrethuar dhe janë kryer ndërhyrje që kanë krijuar perceptimin se projekti po ecën më shpejt se transparenca që duhet ta shoqërojë.

“Kam parë imazhe të projektit, projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare. Jo se ishte i keq, por ne donim më shumë… Në 2024 nuk u miratua një projekt arkitektonik dhe sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar”, tha kryeministri. 

Për të kundërshtuar pretendimet se kanë nisur punime për ndërtimin e resortit, Rama këmbënguli se ndërhyrjet e deritanishme lidhen me studimet paraprake dhe jo me zhvillimin e vetë projektit. Por pikërisht gardhi, makineritë dhe kufizimi i aksesit në zonë janë bërë simboli i kundërshtimit qytetar, duke krijuar hendekun mes asaj që qeveria e konsideron një fazë teknike dhe asaj që protestuesit e shohin si fillimin e një procesi me pasoja të pakthyeshme.

“Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do përdoren për studimin e biodiversitetit të lagunës… për këtë u dha leja, u bë rrethimi”, tha Rama. 

Organizatat PPNEA dhe “EuroNatur kanë paralajmëruar se zhvillimi i planifikuar në Nartë rrezikon habitatet natyrore, korridoret migratore të shpendëve dhe integritetin ekologjik të një zone që gëzon status të mbrojtur kombëtar dhe ndërkombëtar. Organizatat kanë kërkuar ndalimin e ndërhyrjeve në terren, publikimin e plotë të dokumentacionit mjedisor dhe një proces transparent vendimmarrjeje përpara se projekti të avancojë më tej.

Shqetësime të ngjashme kanë ngritur edhe akademikë dhe ekspertë të planifikimit urban. Në një deklaratë publike, trupa akademike dhe përfaqësia studentore e Universitetit Polis nuk u shprehën kundër investimit në vetvete, por kërkuan transparencë dhe përgjigje institucionale për një sërë çështjesh që sipas tyre mbeten të paqarta. Nga respektimi i kufijve të zhvillimit të parashikuar në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, te ndikimi mbi biodiversitetin, përputhshmëria me Planin e Përgjithshëm Vendor të Vlorës, detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe procedurat për ndryshimin e përdorimit të tokës, deklarata ngre një seri pyetjesh që kërkojnë përgjigje publike dhe të dokumentuara.

Akademikët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të publikojnë dokumentet, analizat dhe vendimet mbi të cilat po mbështetet projekti, duke argumentuar se një investim me ndikim të tillë nuk mund të zhvillohet pa dialog publik dhe pa përfshirjen e komuniteteve lokale.

Kërkesa për më shumë transparencë nuk është e vetmja pikë ku përplasen kritikët e projektit me qeverinë. Në mbrojtje të investimit, Rama argumentoi gjithashtu se një pjesë e debatit po zhvillohet mbi një realitet të shtrembëruar të gjendjes së zonës, duke këmbëngulur se laguna e Nartës nuk është një ekosistem i paprekur, por një territor që prej vitesh përballet me probleme serioze.

 “Laguna është në pikë të hallit,” tha Rama.

Megjithatë, kjo deklaratë ngre një tjetër pyetje që nuk mori përgjigje gjatë fjalimit. Nëse një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në vend ndodhet vërtet në një gjendje të tillë, atëherë lind natyrshëm pyetja mbi përgjegjësinë e institucioneve që kanë pasur për detyrë mbrojtjen, menaxhimin dhe rehabilitimin e saj gjatë gjithë këtyre viteve.

Kundërshtimet ndaj projektit nuk janë kufizuar vetëm te protestat qytetare. Një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN Albania) hodhi dritë mbi historikun e pronësisë së tokave në Zvërnec, duke ngritur pyetje mbi procedurat, kompanitë e përfshira dhe vendimmarrjen që i hapi rrugë investimit.

Shqetësimet për projektin kanë marrë edhe një dimension ndërkombëtar. Përmes një peticioni të drejtuar Qeverisë së Shqipërisë, Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe organizatave ndërkombëtare mjedisore, aktivistë dhe qytetarë kanë kërkuar mbrojtjen e zonës së Vjosë-Nartës, duke paralajmëruar se ndërhyrjet e planifikuara mund të cenojnë një territor me rëndësi të veçantë ekologjike dhe status të mbrojtur.

Në përpjekje për ta vendosur debatin përtej kufijve të Zvërnecit, Rama argumentoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje strategjike mes tërheqjes së investimeve të mëdha dhe humbjes së mundësive që vende të tjera të rajonit kanë ditur t’i shfrytëzojnë. Për ta ilustruar këtë, ai iu referua vazhdimisht Malit të Zi dhe transformimit që sipas tij sollën investimet e mëdha në turizëm.

“Çfarë do zgjedhim, të shohim Malin e Zi nga mbrapa apo ta parakalojmë?”, tha Rama.

Debati për Zvërnecin mori një tjetër dimension të hënën, kur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se po kryhen hetime lidhur me projektin që ka nisur të zbatohet së fundmi për ndërtimin e resorteve në Zvërnec, në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë.

Zona e Zvërnecit dhe laguna e Nartës përfaqësojnë një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të bregdetit shqiptar, me biodiversitet të pasur, habitate për shpendët migratorë, ligatina me rëndësi ndërkombëtare, peizazhe unike natyrore dhe një trashëgimi kulturore e historike që shtrihet përtej kufijve të zonës së mbrojtur.

Në fund, fjalimi i Ramës nuk e mbylli debatin për Zvërnecin. Nga protestat qytetare te organizatat mjedisore, akademikët, media investigative dhe SPAK-u, pyetjet mbi projektin vazhdojnë të kërkojnë përgjigje. Dhe sa më shumë që debati zgjerohet, aq më e vështirë bëhet që ai të reduktohet vetëm te argumenti i pronës private.