Mjedisorët ngrejnë alarmin për ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë
Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe “EuroNatur” ngritën shqetësime për vijimin e punimeve në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, duke denoncuar mungesën e transparencës dhe dëmtimin e habitateve natyrore. Përfaqësuesit e organizatave i bënë thirrje institucioneve shqiptare dhe Bashkimit Evropian të monitorojnë nga afër situatën dhe të ndalin ndërhyrjet në zonë.
Gjatë konferencës për shtyp të organizatave mjedisore. Foto: (PPNEA)
Të enjten, Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe “EuroNatur” denoncuan në një konferencë për shtyp vijimin e punimeve në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, duke i cilësuar ato të paligjshme dhe me rrezik për habitatet natyrore për shkak të mungesës së transparencës dhe dokumentacionit publik mbi projektin.
“Kudo vihen re gropa me beton si pararendëse të një rrethimi masiv që do të përfshijë të gjitha plazhet që ndodhen midis lagunës së Nartës dhe detit Adriatik”, u shpreh Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i Organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) gjatë konferencës për shtyp.
Trajçe tha se punimet po kufizojnë aksesin e qytetarëve në zonë, ndërsa sipas tij janë shfaqur edhe raste agresiviteti ndaj aktivistëve dhe gazetarëve gjatë dokumentimit të situatës në terren.
“Për shkak të këtyre punimeve, po u limitohet aksesi publikut për të vajtur në atë zonë. Gjithashtu në kantier ka agresivitet ndaj filmimeve apo afrimit tonë”, tha ai.
Sipas përfaqësuesve të organizatave mjedisore, shqetësimi lidhet edhe me mungesën e informacionit publik mbi projektin dhe procedurat e ndjekura për zhvillimin e punimeve në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës.
Përfaqësuesit e organizatave akuzuan institucionet për mungesë qartësie dhe mesazhe kontradiktore lidhur me situatën në terren, ndërsa theksuan se punimet po vazhdojnë në një prej zonave më të ndjeshme mjedisore në deltën e Vjosës.
Gjatë konferencës për shtyp, organizatat prezantuan dokumentime dhe pamje nga terreni mbi ndërhyrjet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës, procedurave ligjore dhe informacionit publik mbi projektin që po zhvillohet në këtë ekosistem.
Përfaqësuesja e “EuroNatur”, Annette Spangenberg, deklaroi gjatë konferencës se mungesa e transparencës mbi projektin mbetet shqetësuese, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Europian të monitorojë nga afër zhvillimet në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës.
Në fillim të muajit maj, aktivistë dhe organizata mjedisore publikuan shqetësime për ndërhyrje të reja brenda zonës së mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, duke pretenduar se në territor po zhvillohen punime që lidhen me ngritjen e një kantieri ndërtimi.
Organizatat mjedisore paralajmëruan se vijimi i punimeve gjatë kësaj periudhe përbën rrezik për habitatet natyrore dhe speciet e faunës së egër në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, ndërsa kërkuan më shumë transparencë dhe ndërhyrje institucionale për ndalimin e dëmtimeve mjedisore.