Nga tragjedia te revolta, banorët e Ish-Kënetës në protestë për sigurinë e fëmijëve
Banorët e Ish-Kënetës dolën në protestë pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve, duke kërkuar më shumë siguri rrugore dhe hapësira publike për komunitetin. Përmes marshimit dhe thirrjeve për drejtësi, ata ngritën akuza ndaj institucioneve për neglizhencë dhe mungesë reagimi ndaj problemeve të përsëritura në zonë.
Qirinjë të ndezur në shkallët e Bashkisë Durrës gjatë protestës. Foto: Albana Aliaj
Pasditen e së mërkurës, dhjetëra banorë të zonës së Ish-Kënetës në Durrës marshuan drejt bashkisë së qytetit për të kërkuar më shumë siguri për fëmijët dhe drejtësi pas vdekjes tragjike të dy të miturve në aksidentin e ndodhur më 3 maj.
“Ne duam hapësirë për fëmijët tanë, të kalojnë, të luajnë. Duam stola, duam pemë, nuk duam beton, thjesht duam që të jetojmë”, tha një prej banorëve të lagjes pjesëmarrës në protestë.
Banorët thanë se prej kohësh kishin ngritur shqetësime për qarkullimin e automjeteve me shpejtësi në zonë dhe mungesën e masave parandaluese në rrugët e lagjes.
“Ne kemi bërë disa herë kërkesa në polici për autorin, por ata e kapin e lëshojnë”, tha një tjetër banor i lagjes gjatë protestës.
Marshimi protestues nisi pranë stadiumit të qytetit dhe vijoi përgjatë rrugës “Aleksandër Goga” drejt Bashkisë së Durrësit, ku qytetarët vendosën pankarta dhe ndezën qirinj në kujtim të dy fëmijëve. Gjatë marshimit, protestuesit ndaluan edhe përpara Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ku qëndruan në heshtje dhe kërkuan drejtësi për viktimat. Protestuesit kërkuan më shumë masa sigurie në rrugët e lagjes, duke ngritur shqetësime për mungesën e pengesave dhe frikën që, sipas tyre, po i mban fëmijët larg zonave rekreative.
“Lagjja jonë është në zi, fëmijët kanë frikë të dalin në rrugë”, tha një prej protestuesve gjatë marshimit.
Në protestë pati edhe thirrje ndaj institucioneve lokale për më shumë investime në hapësira publike dhe lulishte për fëmijët në zonën e Ish-Kënetës.

Aksidenti tragjik ndodhi më 3 maj në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, ndërsa po luanin me top pranë banesës së tyre, në një rrugë pa ndarje për këmbësorët. Sipas Policisë së Shtetit, drejtuesi i automjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa raportimet zyrtare treguan se ai kishte edhe histori të mëparshme shkeljesh rrugore dhe pezullim të lejes së drejtimit.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra drejtorin e Policisë së Durrësit, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, si edhe shefin e Policisë Rrugore, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nisi verifikimet për reagimin ndaj denoncimeve të mëparshme të banorëve.
Zona e Ish-Kënetës vuan prej vitesh mungesën e trotuareve, hapësirave publike dhe masave të sigurisë rrugore, ndërsa qarkullimi i automjeteve me shpejtësi pranë banesave mbetet një rrezik i vazhdueshëm për komunitetin. Në një nga zonat më të populluara të qytetit, mungesa e lulishteve dhe zënia e trotuareve kanë lënë gjithnjë e më pak hapësira ku fëmijët mund të luajnë dhe të lëvizin të sigurt.