Zjarri në landfillin e Bushatit, ndotje mjedisore dhe pikëpyetje për menaxhimin e mbetjeve
Një zjarr ka përfshirë landfillin e mbetjeve në Bushat, Bashkinë e Vaut të Dejës, duke shkaktuar ndotje mjedisore dhe duke angazhuar forca zjarrfikëse nga disa qytete të vendit, ndërsa përpjekjet për shuarjen e tij vijojnë. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te mënyra e menaxhimit të mbetjeve urbane në vend.
Zjarri në landfillin e mbetjeve në Bushat. Foto: Emi Kalaja
Flakët e zjarrit përfshinë landfillin e mbetjeve në Bushat, në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, të dielën, duke angazhuar fillimisht forcat zjarrfikëse vendore dhe më pas edhe ato nga disa qytete të tjera, ndërsa sipas autoriteteve përhapja e tij u favorizua nga erërat e forta dhe nuk dyshohet të ketë qenë e qëllimshme.
“Gjatë mesditës së djeshme është marrë njoftim për një vatër zjarri në landfillin e Bushatit. Menjëherë janë paraqitur forcat zjarrfikëse të Vaut të Dejës. Më pas kanë marrë pjesë në operacion edhe forcat e zjarrfikëses të Shkodrës, Lezhës, Kamzës dhe Tiranës”, tha nënkryetari i Bashkisë Vau i Dejës Elvis Preçi, në një deklaratë për mediat të hënën.
Landfilli ndodhet në Njësinë Administrative Bushat, ndërsa zjarri u pikas fillimisht nga një vatër e raportuar gjatë mesditës. Përhapja e flakëve u favorizua nga erërat e forta në zonë, ndërsa në operacion u angazhuan edhe forca zjarrfikëse nga disa qytete të tjera për të ndihmuar në izolimin e vatrave. Pavarësisht ndërhyrjes, zjarri vijon ende dhe mbetet problematik për shkak të natyrës së mbetjeve.
Për organizatën e shoqërisë civile “Sebastia” që punon për mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komunitetit, kjo situatë është një alarm serioz që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Një zjarr në një landfill sjell pasoja të menjëhershme, sidomos për ajrin që thithin banorët. Tymi dhe gazrat e dëmshëm mund të krijojnë probleme shëndetësore, ndërsa me kalimin e kohës ndotja mund të prekë edhe tokën dhe ujin përreth”, u shpreh organizata për Median Amfora.
Sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau i Dejës në vitin 2020, landfilli i Bushatit është konceptuar si një strukturë për depozitimin, administrimin, përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane. I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 23 hektarësh dhe me kapacitet deri në 500 ton mbetje në ditë, landfilli ndodhet në fshatin Bushat.
Vendimi i referohet gjithashtu një riorganizimi të një strukture ekzistuese dhe parashikon përdorimin e tij edhe për mbetje inerte. Në të njëjtin vendim përmendet edhe rishikimi i kontratës së shërbimit për këtë landfill, me palë Shoqërinë Ndërkomunale Bushat dhe kompaninë “Becker Albania” sh.a.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, kompania përgjegjëse për landfillin ka kërkuar ndihmën e subjekteve të zonës, të cilat kanë vënë në dispozicion mjete për izolimin e vatrave të zjarrit, ndërsa pavarësisht ndërhyrjeve, situata mbetet ende aktive.
“Kompania përgjegjëse për landfillin ka kontaktuar dhe firma të zonës, të cilat kanë sjellë kamionë dhe ekskavatorë për të bërë të mundur izolimin e vatrave,” tha nënkryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Elvis Preçi.
Zjarri, që vijon prej më shumë se 24 orësh, rrit ndjeshëm rrezikun për ndotje të vazhdueshme të ajrit dhe përhapje të gazrave të dëmshëm në zonë, duke e kthyer situatën nga një incident i përkohshëm në një problem me ndikim të zgjatur në mjedis dhe shëndetin e banorëve.
“Ndërsa me kalimin e kohës ndotja mund të prekë edhe tokën dhe ujin përreth. Kjo e bën situatën jo vetëm një problem momental, por edhe një rrezik që mund të zgjasë në kohë për komunitetin”, theksoi organizata “Sebastia”.
Ndërkohë, policia nuk ka ende një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e rënies së zjarrit. Nga ana tjetër, nënkryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Elvis Preçi, është shprehur se, sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, nuk bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme.

Raste të zjarreve në landfille nuk janë të panjohura në vend. Vitin e kaluar, bashki të ndryshme si Vlora dhe Elbasani janë përballur me situata të ngjashme, ku djegia e mbetjeve ka shkaktuar ndotje të ajrit dhe shqetësime për komunitetin, si pasojë e rënies së zjarreve në landfille. Këto raste kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të mbetjeve dhe kontrollin e landfillëve në vend.
“Kjo situatë tregon se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm çështje institucionesh, por kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me komunitetin, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten”, vuri theksin organizata e shoqërisë civile.
Ndërsa autoritetet vendore kanë bërë të ditur se banesat në zonë nuk janë në rrezik nga zjarri, organizatat mjedisore theksojnë rëndësinë e transparencës dhe informimit të vazhdueshëm të qytetarëve në raste të tilla.
“Po aq e rëndësishme është që institucionet të jenë transparente dhe të informojnë qytetarët, ndërsa komuniteti të ketë mundësi të raportojë çdo problem në kohë”, theksoi organizata “Sebastia”.