Amfiteatri i Durrësit në 3D: Projekti që synon ta kthejë në mjet edukimi  

Një aktivitet i organizuar nga klubet rotariane të Durrësit prezantoi rindërtimin në 3D të Amfiteatrit të qytetit, një projekt kërkimor tashmë i përfunduar pas bashkëpunimit shqiptaro-gjerman. Gati për zbatim dhe me potencial edukativ, iniciativa mbetet në pritje të mbështetjes nga institucionet shqiptare.

Të mërkurën u zhvillua në qytetin bregdetar një aktivitet i organizuar nga klubet rotariane të qytetit të Durrësit, u prezantua rindërtimi 3D i Amfiteatrit të Durrësit – si rezultat i një projekti ndërkombëtar kërkimor, me synimin për ta kthyer atë në një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi për brezat e rinj.

“Do të dëshiroja që autoritetet shqiptare të apasionohen me këtë projekt, njësoj si ne sepse besoj se ky monument i lashtësisë, ky thesar, është një shenjë e përkatësisë dhe identitetit evropian, të cilit i përkasim të gjithë”, tha arkitekti Dominik Lengyel – njëkohësisht pjesë e “Rotary Club Berlin”. 

Arkitekti gjerman Dominik Lengyel prezantoi detaje të projektit që jo vetëm rindërton në mënyrë digjitale monumentin, por synon edhe ta lidhë atë me komunitetin përmes edukimit dhe përfshirjes së brezave të rinj. 

“Projekti përfshin ndërtimin e amfiteatrit si një lojë ndërtuese, e përbërë nga 40 pjesë, pra si një pazëll”, tha Dominik Lengyel.

Rindërtimi 3D i Amfiteatrit të Durrësit është realizuar nga një grup pune ndërkombëtar, i përbërë nga arkitektë dhe arkeologë, mes tyre Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë në Shqipëri dhe arkeologu gjerman Henner von Hesberg, në bashkëpunim me studiues vendas si Belisa Muka, pas një angazhimi shumëvjeçar kërkimor dhe studimor. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të dokumentohet, interpretohet dhe komunikohet për publikun e gjerë. 

Për herë të parë përmes këtij rindërtimi digjital, jo vetëm komuniteti shkencor, por edhe qytetarët kanë mundësinë të kuptojnë formën e mundshme që ka pasur amfiteatri në periudhat e para të ekzistencës së tij. Sipas studiuesve, ky monument dallon nga të tjerët për shkak të mënyrës së ndërtimit, pasi është ngritur pjesërisht mbi faqen e kodrës, një zgjidhje që e bën atë unik në arkitekturën romake për ndërtime të ngjashme.

Arkitekti Dominik Lengyel duke prezantuar projektin. Foto: Media Amfora

Aktiviteti u organizua nga “Rotary E-Club”, “Rotary Club” dhe me pjesëmarrjen e “Rotaract Club” të qytetit të Durrësit, si pjesë e angazhimit të tyre për të promovuar iniciativa që lidhen me kulturën, edukimin dhe zhvillimin e komunitetit. Pjesëmarrja e një eksperti ndërkombëtar si Dominik Lengyel dhe prezantimi i një projekti konkret e vendosin këtë diskutim në një kontekst më të gjerë, që lidhet me mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të integrohet në zhvillimin bashkëkohor të qytetit.

“Projekti parashikon trajnimin e mësuesve të shkollave nga arkeologët dhe njëkohësisht një person që të merret me të gjithë procesin e prezantimit për fëmijët. Nëse të gjitha këto hallka do të ngrihen projekti mund të nisë sepse nga ana jonë gjithçka është gati”, tha arkitekti. 

Projekti është prezantuar më parë në detaje pranë ambienteve të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, pas një kërkimi shumëvjeçar mbi Amfiteatrin e Durrësit. Studimi u realizua nën drejtimin e Prof. Dr. Eduard Shehit, Prof. Dr. Henner von Hesberg dhe me ekspertizën e Dr. Domenik Lengyel dhe të Prof. Dr. Catherine Toulouse. Kërkimet synonin rikrijimin e aspekteve volumetrike, njohjen e funksioneve të amfiteatrit, strukturën e tij dhe të ambientit rrethues.

Megjithatë, pavarësisht se projekti është tashmë i përfunduar nga ana kërkimore dhe konceptuale, zbatimi i tij mbetet i varur nga angazhimi i aktorëve lokalë dhe mbështetja e institucioneve publike. Në këtë kuptim, iniciativa paraqet një mundësi konkrete për bashkëpunim mes ekspertëve ndërkombëtarë, institucioneve vendase dhe komunitetit, me qëllim shfrytëzimin e potencialit të plotë të një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.