Zëvendëssekretari për ekonominë: SHBA kërkon një Evropë më të fortë
Një takim i nivelit të lartë në Bruksel theksoi nevojën për një Evropë më të fortë dhe më konkurruese në një moment të rritjes së konkurrencës globale. Mesazhi i përcjellë nga Zëvendëssekretari i Shtetit për Çështjet Ekonomike nënvizoi perceptimet dezinformuese për një shkëputje mes tyre.
Jacob Helberg, Zëvendëssekretar i Shtetit për Çështjet Ekonomike. Foto: Departamenti Amerikan i Shtetit
Në një diskutim të organizuar më 1 prill në Bruksel nga “German Marshall Fund”, me pjesëmarrje fizike dhe transmetim në internet, Zëvendëssekretar i Shtetit për Çështjet Ekonomike theksoi nevojën për një Evropë më të fortë dhe më konkurruese në një moment të rritjes së konkurrencës globale dhe sfidave në zhvillimet teknologjike.
“Amerika dëshiron një Evropë të fortë – si një domosdoshmëri strategjike dhe si një shpresë e sinqertë”, tha Jacob Helberg, Zëvendëssekretar i Shtetit për Çështjet Ekonomike, gjatë diskutimit në Bruksel.
Ai u ndal më tej te gjendja ekonomike dhe teknologjike e kontinentit, duke paralajmëruar për pasojat e mungesës së rritjes dhe humbjes së terrenit në fusha kyçe si inteligjenca artificiale.
“Kjo nuk është një mosmarrëveshje politike. Kjo është një emergjencë civilizimi”, tha Helberg.
Diskutimi u fokusua në rolin e inteligjencës artificiale, teknologjive të avancuara dhe zinxhirëve të furnizimit në konkurrencën ekonomike dhe gjeopolitike globale, si dhe në nevojën për koordinim më të ngushtë mes SHBA dhe Bashkimit Evropian për të shmangur fragmentimin dhe për të nxitur investimet dhe rritjen.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, diplomatë, ekspertë të politikave publike dhe sigurisë, si dhe aktorë nga sektori i teknologjisë dhe ekonomisë.
Konferenca për shtyp “online” i ofroi gazetarëve mundësinë për pyetje drejtuar zyrtarit amerikan, e cila u ndoq edhe nga gazetarët e Medias Amfora.
Takimi u organizua nga “German Marshall Fund”, një organizatë jopartiake e politikave publike që synon forcimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Evropës, dhe u zhvillua në një moment të karakterizuar nga konkurrencë e shtuar teknologjike dhe gjeopolitike.
Duke folur për politikat e Bashkimit Evropian, diplomati kritikoi qasjen rregullatore ndaj sektorit të teknologjisë dhe investimeve, duke argumentuar se këto masa kanë ndikuar në konkurrueshmërinë e kontinentit.
“Nuk mund të arrish madhështinë përmes rregullimit. Por mund të dalësh nga loja për shkak të tij”, tha Helberg.
Mesazhi i përcjellë në këtë diskutim vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në një fazë ku teknologjia dhe ekonomia janë gjithnjë e më të lidhura me sigurinë dhe ndikimin global, duke kundërshtuar njëkohësisht perceptimet dezinformuese për një shkëputje mes SHBA dhe Evropës.