Nga veriu në jug, protesta kundër “investimeve strategjike” mbërrin para Parlamentit
Banorë nga disa zona të vendit protestuan para parlamentit kundër projekteve që, sipas tyre, po përdoren për t’u marrë pronat në emër të investimeve strategjike. Ata thonë se këto ndërhyrje po cenojnë të drejtën e pronës dhe po vështirësojnë jetesën e komuniteteve lokale.
Gjatë protestës para Parlamentit. Foto: Grupi i organizatorëve
Banorë nga Rrjolli, Durrësi, Gjorica, Zall-Gjocaj, Pogradeci, Kurdaria dhe Ballshi protestuan pasditen e 30 marsit para Parlamentit Shqiptar, duke kundërshtuar projektet që, sipas tyre, synojnë t’u marrin pronat dhe territorin në favor të investitorëve privatë.
“Ligji për shpronësimin për interes publik dhe ky ligj i tmerrshëm ka ca nene që shpronëson privatin për t’ia dhënë privatit, që shpronëson dhe nuk të jep mundësinë që ta marrësh prapë pronën tënde. Vetëm të japin ca lekë dhe të thonë ik largohu”.
Kështu u shpreh arkitektja dhe urbanistja Entela Koja, e cila foli për rastin e projektit TID Durrës. Sipas saj, mënyra se si po zbatohen politikat e zhvillimit në raste të tilla po e kthen ligjin në një instrument që favorizon interesat private, ndërsa qytetarët mbeten pa mbrojtje reale.
“Projektet bëhen në mungesë transparence, në një grabitje ditën me diell, me letër dhe me firmë”, u shpreh Koja.
Në rastin e TID Durrës, banorët dhe aktivistët kanë kundërshtuar mënyrën se si po trajtohet prona, duke ngritur pikëpyetje për përfitimet që, sipas tyre, kanë synim që tu jepen investitorëve strategjikë. Ata thonë se procesi është zhvilluar pa transparencë të plotë, pa dëgjuar komunitetin dhe pa garantuar të drejtën e banorëve mbi tokën dhe territorin që preket nga projekti.
Në të njëjtën linjë, kundërshtimi i banorëve në Rrjoll të Lezhës lidhet me faktin se ndërhyrjet në territor do tu marrin pronat dhe do të ndryshojnë përdorimin e tokës për resorte. Sipas tyre, projektet po shtyhen përpara pa konsultim real me komunitetin dhe pa marrë parasysh pasojat afatgjata në jetesën lokale dhe në mjedis.
Koja tha gjithashtu se një nga shqetësimet më të mëdha mbetet mungesa e reagimit nga institucionet, përfshirë pushtetin vendor, edhe kur qytetarët raportojnë shkelje dhe problematika konkrete.
“Kur ne shkojmë dhe i relatojmë të gjitha gabimet, të gjitha problemet, çuditërisht shteti shqiptar është i shurdhët, njësitë e qeverisjes vendore janë të shurdhëta”, tha ajo,
Protesta e të hënës u paraqit si një moment bashkimi mes komuniteteve që deri tani kanë reaguar të ndarë për raste të ndryshme. Bashkimi i banorëve nga veriu në jug tregon se çështja e pronës nuk shihet më si një problem lokal, por si një konflikt më i gjerë me pasoja politike dhe shoqërore.
Organizatorët thanë se banorë nga zona të ndryshme, nga Borshi deri në Mat, po përballen me të njëjtin model ndërhyrjeje mbi tokën dhe territorin. Në Gurras, sipas tyre, toka që më herët i është ndarë komunitetit po i kalon një investitori, ndërsa në Çërravë kundërshtohet marrja e kullotës për ta kthyer në park fotovoltaik.
Ata thanë se këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një qasjeje që po i ekspozon komunitetet ndaj humbjes së pronës, burimeve dhe kontrollit mbi territorin ku jetojnë. Për këtë arsye, protesta u artikulua si një reagim i përbashkët kundër asaj që pjesëmarrësit e konsiderojnë grabitje të pronave në interes të oligarkëve dhe investitorëve të mëdhenj.
“Kur dikush proteston për pronën e vet protesta është e atij që proteston, por kur kundër cenimit të pronës dhe përkatësisë mbi tokën dhe territorin i bashkohen me qindra, protesta ka marrë përmasa politike”, tha një tjetër banorë.
Për banorët e Rrjollit, kjo përplasje nuk lidhet vetëm me pronën, por me një ndjenjë më të gjerë pasigurie dhe padrejtësie. Në protestë foli edhe Luciana Koka Shullani, e cila e lidhi çështjen e pronës me vështirësitë e tjera që, sipas saj, po rëndojnë mbi jetën e qytetarëve.
“Çdo hallkë e jetës tonë është bërë ferr nga spitalet, shëndetësia, arsimi, drejtësia, çdo gjë. Tani po shtrijnë dorën edhe tek pronat paketë pas pakete, ligj pas ligji në kurriz të popullit”, tha ajo,
Pjesëmarrësit kërkuan ndalimin e projekteve që, sipas tyre, zhvillohen pa transparencë dhe pa pëlqimin e komuniteteve, si dhe më shumë mbrojtje për të drejtën e pronës. Ata paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë, ndërsa përplasjet për tokën dhe territorin po bashkojnë gjithnjë e më shumë zona në një kauzë të përbashkët.