Bizneset turistike kundër detyrimit për impiante ujërash
Në Durrës, bizneset turistike ngrejnë zërin kundër detyrimit për impiante ujërash, që sipas tyre i penalizon pa qenë ndotës. Ata kërkojnë ndryshimin e aktit normativ dhe nisën mbledhjen e firmave për një peticion.
Kanal i hapur me ujëra të ndotura që derdhen në bregdetin e Durrësit. Foto: Media Amfora
Në Durrës, bizneset turistike përmes Shoqatës “ATA-HORECA” zhvilluan këtë fund marsi një takim me drejtuesit e bashkisë për problematikat e sezonit të ri turistik, pas të cilit nisën një peticion kundër detyrimit për impiante individuale të trajtimit të ujërave, që e konsiderojnë një masë të pajustifikuar për subjektet e lidhura me rrjetin publik.
“Ky detyrim është i padrejtë, teknikisht i panevojshëm dhe ekonomikisht i pajustifikueshëm, si dhe nuk adreson burimet reale të ndotjes së ujërave larës”, thuhet në peticionin e Shoqatës Shqiptare të Turizmit “ATA-HORECA”, sektori Durrës.
Në peticion theksohet se bizneset turistike kundërshtojnë drejtpërdrejt këtë detyrim, duke argumentuar se ai nuk bën dallim mes subjekteve që janë burim ndotjeje dhe atyre që janë të lidhura me rrjetin publik të kanalizimeve.
“Subjektet e lidhura me kanalizimet publike nuk janë burim ndotjeje”, thuhet në peticion.
Anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Turizmit “ATA-HORECA”, sektori Durrës, zhvilluan së fundmi një takim me kryebashkiaken Emiriana Sako, ku ngritën shqetësime për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2026, përfshirë edhe detyrimin për impiante individuale të trajtimit të ujërave të ndotura, të cilin e cilësojnë si të padrejtë dhe me kosto të lartë.
Me synimin për një turizëm më të shtrirë në kohë dhe përgatitjen për sezonin veror, subjektet turistike të Durrësit kanë nisur marrjen e masave, ndërsa theksojnë se kjo problematikë, sipas tyre, rëndon aktivitetin dhe rrit kostot e biznesit.
Në peticion theksohet gjithashtu se nuk ekzistojnë prova që subjektet e lidhura me rrjetin publik të jenë burim ndotjeje për ujërat larës.
“Nuk ekziston asnjë raport zyrtar që të tregojë se subjektet e lidhura me kanalizimet publike kanë shkaktuar ndotje të ujërave larës”, shpjegohet në peticion.
Sipas shoqatës, burimet reale të ndotjes lidhen me faktorë të tjerë që nuk adresohen nga kjo masë.
“Burimet reale të ndotjes janë shkarkimet e paligjshme, ujërat sipërfaqësore dhe mungesa e investimeve në impiantet qendrore të trajtimit”, nxjerr në pah peticion.
Akti normativ në fuqi parashikon që subjektet që prodhojnë ujëra të ndotura, përfshirë strukturat turistike, duhet të sigurojnë trajtimin e tyre përmes impianteve individuale, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ujërave, veçanërisht në zonat bregdetare.
Në peticionin që ka nisur të mbledhë firma, për të cilin janë vënë në dijeni Bashkia Durrës dhe Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, kërkohet rishikimi i aktit normativ, duke përcaktuar qartë përjashtimin nga detyrimi për impiante individuale për subjektet e lidhura me rrjetin publik dhe orientimin e masave drejt ndotësve realë.
Durrësi, një nga destinacionet kryesore turistike të vendit me një vijë të gjatë bregdetare, vijon të përballet me problematika të ndotjes së ujërave, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Zona bregdetare mbetet e ekspozuar ndaj ndotjes si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza në det, një problematikë e përsëritur ndër vite që vijon të ndikojë në cilësinë e ujërave larës dhe në imazhin turistik të qytetit.

Por, sipas bizneseve pas dy vitesh zbatim të aktit normativ, masat mund të vlerësohen objektivisht, duke argumentuar se nuk ka evidenca që impiantet individuale kanë përmirësuar cilësinë e ujërave larës, ndërsa problemet kryesore të ndotjes mbeten të paadresuara.
“Nuk ka evidenca që impiantet individuale kanë përmirësuar cilësinë e ujërave larës”, thuhet në peticion, ku kërkohet rishikimi i kësaj politike.
Në këtë kontekst, bizneset turistike kërkojnë rishikimin e aktit normativ dhe përjashtimin nga detyrimi për impiante individuale për subjektet e lidhura me rrjetin publik, duke theksuar se masat duhet të orientohen drejt ndotësve realë dhe përmirësimit të sistemit publik të trajtimit të ujërave.