Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare ngre pikëpyetje për sigurinë e sistemeve
Posta Shqiptare është përballur me një sulm kibernetik, duke rikthyer në vëmendje nivelin e mbrojtjes së infrastrukturës digjitale në institucionet publike shqiptare.
Filiali i Postës Shqiptare në Durrës. Foto: Media Amfora
Rreth mesditës së të mërkurës, faqja zyrtare në internet e Postës Shqiptare doli jashtë funksionit, duke e bërë të pamundur aksesin për qytetarët që kërkonin të merrnin shërbime në kohë reale.
Lajmi për ndërhyrjen në sistem u bë publik më 26 mars, ndërsa detajet mbi natyrën dhe përmasën e incidentit mbeten ende të kufizuara.
Deri më tani, nuk ka një pasqyrë të plotë mbi dëmet e mundshme apo të dhënat që mund të jenë prekur, por rasti konsiderohet një tjetër sinjal për dobësitë në infrastrukturën digjitale publike.
Ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo, bëri me dije se shërbimet e postës nuk janë cenuar dhe se situata është nën analizë.
“Në momentin që flasim po bëhet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe jo vetëm. Shërbimet e postës po vijojnë normalisht, nuk ka të dhëna që janë inkriptuar, por duhet të presim përfundimin e analizave. Vetë AKSHI i ka kapacitetet që rrisin garancinë për integritetin e të dhënave publike në institucionet shqiptare”, tha Demo para gazetarëve.
Ngjarja vjen pak kohë pasi kryeministri Edi Rama kishte theksuar publikisht se Shqipëria ishte renditur ndër vendet me performancë të lartë në sigurinë kibernetike, duke nënvizuar përmirësimet në politika, koordinim institucional dhe kapacitete reagimi ndaj kërcënimeve digjitale.
Në këtë kontekst, ndërhyrja në sistemet e Postës Shqiptare dhe publikimi i materialeve të brendshme nga autorët e dyshuar të sulmit rikthen në vëmendje sfidat që mbeten në mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë theksuar vazhdimisht se institucionet mbeten të ekspozuara ndaj sulmeve, veçanërisht në mungesë të investimeve të qëndrueshme dhe trajnimeve të stafit.
Ngjarje të tilla rikthejnë në vëmendje nevojën për transparencë dhe informim të qytetarëve, sidomos në rastet kur mund të jenë prekur të dhënat personale.