Art përtej kanavacës, një rezidencë mes krijimit dhe solidaritetit

“Seaside Art 2026” e ktheu bregdetin e Durrësit në një hapësirë krijimi përgjatë pesë ditëve, ku 18 nga artistët më të mirë të peizazhit realizuan vepra që pasqyrojnë marrëdhënien mes natyrës dhe realitetit urban. Përtej ekspozimit artistik, rezidenca shtoi edhe një dimension konkret solidariteti, duke e kthyer artin në mbështetje për komunitetin.

Më 22 mars, në Durrës u hap ekspozita përmbyllëse e ngjarjes kulturore “Seaside Art 2026”, ku u prezantuan veprat e realizuara gjatë pesë ditëve krijuese, përfshirë ndërhyrjen murale në hapësirë publike, si dhe u çel një ankand në mbështetje të një qendre për fëmijë me spektrin autik në Prizren.

“Ne kemi motivin për të organizuar këto aktivitete, sepse marrim stimuj nga arti dhe mundohemi ta integrojmë atë në jetën tonë profesionale”, u shpreh në fjalën e tij organizatori Indrit Hamiti.

Nga 18 deri më 22 mars, artistët e peizazhit krijuan në qytetin bregdetar të Durrësit, duke u përballur drejtpërdrejt me kontrastet mes bukurisë natyrore dhe problematikave urbane e mjedisore që e karakterizojnë këtë hapësirë.

“Artistët mundoheshin të kapnin pjesën e Currilave, shumë të bukur si peizazh, por të masakruar, dhe përpiqen ta interpretojnë apo ta kamuflojnë atë”, tha Hamiti.

Në këtë edicion të “Seaside Art 2026” morën pjesë 18 artistë të peizazhit, mes tyre Agim Kadillari, Agron Polovina, Aljon Cano, Anastas Kostandini, Ardjan Mashi, Buron Kaceli, Dashnor Kullolli, Enxhel Gegripti, Genti Proko, Hera Rustemi, Maria Rosa Szychowska, Pashk Përvathi, Rikarda Nova, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Skënder Strica, Vangjo Vasil dhe Xheneta Kadillari, të cilët sollën qasje të ndryshme në interpretimin e territorit përmes pikturës.

Gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës. Foto: Media Amfora

Aktiviteti u organizua nga “Inceptio Studio” nën drejtimin e arkitektit Indrit Hamiti, ndërsa u kurua nga Ylli Drishti dhe u koordinua nga Lysjen Koçi, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi mes artistëve dhe një dialog të hapur me peizazhin bregdetar.

Gjatë pesë ditëve të rezidencës, artistët punuan si në natyrë, në traditën e pikturës “en plein air”, ashtu edhe në ambiente të dedikuara, duke zhvilluar një përvojë kolektive krijuese në dialog të drejtpërdrejtë me peizazhin bregdetar të Durrësit. Ky proces u konceptua si një hapësirë e përbashkët reflektimi dhe kërkimi artistik, duke synuar ndërtimin e urave mes artit pamor, peizazhit dhe përvojës kulturore të territorit.

Ekspozita përmbyllëse paraqiti punimet e realizuara gjatë kësaj periudhe, si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe ndërveprimi të vazhdueshëm, duke e shndërruar rezidencën jo vetëm në një platformë krijimi për artistët, por edhe në një akt kulturor që kontribuon në pasurimin dhe gjallërimin e jetës artistike në Durrës.

Një nga ndërhyrjet më të veçanta të këtij edicioni ishte realizimi i një muraleje në hapësirë publike nga artistja kanadeze me origjinë polake Maria-Rosa Szychowska, duke shtuar një dimension ndërkombëtar dhe një prani të qëndrueshme artistike në qytet. Ky proces krijues u zhvillua në dialog të drejtpërdrejtë me peizazhin bregdetar, duke e trajtuar atë jo vetëm si sfond, por si pjesë aktive të përvojës artistike.

Posteri zyrtar i “Seaside Art 2026”. Foto: Media Amfora

Përtej dimensionit artistik, aktiviteti u shoqërua edhe me një komponent filantropik, ku një pjesë e veprave të realizuara që kalojnë si fond në koleksionin e organizatorëve u përfshinë në një ankand, të ardhurat e të cilit do të shkojnë në mbështetje të një qendre për fëmijë me spektrin autik në Prizren.

Kjo e kthen “Seaside Art 2026” jo vetëm në një ngjarje artistike, por në një nismë që dëshmon se arti mund të shkojë përtej krijimit estetik, duke marrë një rol aktiv në mbështetjen e komunitetit dhe në ndërtimin e një lidhjeje më të fortë mes kulturës dhe shoqërisë.