Me 82 vota kundër: Mazhoranca bllokon masën e arrestit për Ballukun

Mazhoranca socialiste në Kuvend votoi kundër kërkesës së SPAK për autorizimin e një mase arresti ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke lënë në fuqi imunitetin e saj parlamentar. Seanca u parapri nga reagime të ambasadave perëndimore dhe protesta të opozitës jashtë parlamentit.

Në seancën plenare të zhvilluar të enjten, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për autorizimin e zbatimit të një mase arresti ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Belinda Balluku, nën hetim për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.  

Votimi në seancë u mbyll me 82 vota kundër, duke rrëzuar kështu kërkesën e SPAK. 

Debati në seancë u shoqërua me qëndrime të kundërta mes shumicës dhe opozitës. Deputeti socialist Ulsi Manja, duke paraqitur raportin e shumicës, argumentoi se kushtet për vendosjen e masës së arrestit nuk qëndrojnë, pasi sipas tij Balluku nuk mban më funksione ekzekutive dhe nuk ekziston rreziku që ajo të ndikojë në provat e hetimit për akuzat që rëndojnë ndaj saj. 

Nga ana tjetër, deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi kërkoi që Kuvendi të autorizonte një masë arresti, duke argumentuar se parlamenti nuk duhet të vendosë barriera ndaj hetimeve të drejtësisë për zyrtarë të lartë.

Jashtë godinës së Kuvendit u zhvillua një protestë e opozitës, ndërsa policia vendosi masa të shtuara sigurie dhe barriera metalike në perimetrin e parlamentit.

Vendimi i sotëm u parapri edhe nga reagime diplomatike. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë deklaroi para votimit se imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për barazinë para ligjit dhe theksoi rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Po të enjten  reagoi edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila theksoi se ndjekja penale ndaj korrupsionit në nivele të larta duhet të zhvillohet shpejt dhe pa pengesa, duke e lidhur këtë me pritshmëritë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kërkesa për vendosjen e një masë arresti ndaj Ballukut lidhet me një hetim të SPAK për dyshime për për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur gjatë kohës kur ajo mbante funksionin e lartë në qeveri.

Për shkak të statusit të saj si deputete, çdo masë sigurie kërkon autorizimin e Kuvendit, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin shqiptar.

Çështja kishte disa muaj që shqyrtohej në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet të Kuvendit, ku u paraqitën raportet e shumicës dhe të opozitës mbi kërkesën e prokurorisë.

Gjatë seancës, deputetë të opozitës protestuan edhe brenda sallës së Kuvendit duke ngritur pankarta me thirrje për “dorëheqje” dhe kërkesa për një “qeveri teknike”.

Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në seancën plenare dhe kishte hequr dorë nga e drejta për të mbajtur fjalë para deputetëve. Me këtë çështje, Belinda Balluku i shtohet listës së zyrtarëve të lartë të vendit që janë vënë nën hetim nga SPAK, një listë që në vitet e fundit ka përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, duke e vendosur luftën kundër korrupsionit në nivele të larta në qendër të debatit politik dhe institucional në vend.