Siguria ushqimore: AKU bllokon 2.4 ton produkte pa etiketa

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi mbi 2.4 ton produkte të pasigurta ose pa etiketim gjatë kontrolleve në Tregun Agro-Ushqimor në Tiranë. Për shkeljet e konstatuara u vendosën 7 gjoba me vlerë totale 1.6 milionë lekë.

Mbi 2.4 ton produkte ushqimore të pasigurta dhe pa etiketim u bllokuan të premten nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë kontrolleve në Tregun Agro-Ushqimor në Tiranë, ku nga 14 subjekte të planifikuara për inspektim, në 5 u krye kontroll i plotë, ndërsa 9 u gjetën të mbyllura.

“Gjatë kontrolleve u bllokuan 197.5 kilogramë produkte të pasigurta, si djathë kaçkavall dhe fruta të thata”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Sipas institucionit, u bllokuan gjithashtu 2214.2 kilogramë produkte pa etiketë ose me etiketim të parregullt, kryesisht sallam dhe fruta të thata, të cilat do të asgjësohen.

“Për shkeljet e konstatuara u vendosën 7 masa administrative në vlerë totale rreth 1.6 milionë lekë, për tregtim ushqimi të pasigurt, mungesë gjurmueshmërie dhe mungesë etiketimi”, njoftoi AKU.

Siguria ushqimore në vend vazhdon të mbetet një sfidë, pasi rastet e produkteve të pasigurta, mungesa e etiketimit dhe problemet me gjurmueshmërinë tregojnë dobësi të vazhdueshme në zinxhirin e kontrollit dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Mungesa e etiketimit dhe gjurmueshmërisë konsiderohet një shkelje e rëndë, pasi pengon identifikimin e origjinës së produktit dhe rrit rrezikun për shëndetin publik.

AKU bën të ditur se kontrollet në terren do të vijojnë, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e rregullave nga operatorët e tregut.