Banorët e Durrësit dhe Rrjollit në protestë kundër projekteve që u prekin pronat
Banorët e Rrjollit dhe disa lagjeve të Durrësit u bashkuan në një protestë para Kuvendit kundër projekteve që u rrezikojnë shtëpitë dhe tokat. Aksioni i përbashkët synon mbrojtjen e pronës dhe ndalimin e ndërhyrjeve që prekin komunitetet e tyre.
Posteri i protestës i përgatitur nga organizatorët.
Para godinës së Kuvendit, të enjten, banorë nga Rrjolli i Velipojës dhe disa lagje të Durrësit u mblodhën në protestë, duke kundërshtuar projektet që parashikojnë shembje banesash dhe ndërhyrje në pronat e tyre.
“Shtëpitë i kemi në qendër të Durrësit, ku një metër katror kushton mijëra euro, por shteti do të na i kompensojë me çmim qesharak. Ne jemi kundër projektit”, u shpreh gjatë protestës një banore nga lagjja nr.1 e qytetit bregdetar.
Edhe banorët e Rrjollit u shprehën se po përballen me ndërhyrje në pronat e tyre dhe kërkuan respektimin e ligjit për pronën.
“Të respektohet ligji i parë demokratik, ai i pronës,” tha një protestuese e ardhur nga Rrjolli.
Protesta u zhvillua ashtu siç ishte paralajmëruar që të mërkurën, duke bashkuar për herë të parë në të njëjtin aksion banorët e dy komuniteteve që preken nga projekte të ndryshme, por me të njëjtin shqetësim për pronat dhe banesat e tyre. Dalja e përbashkët para Kuvendit, ku pritej seanca e radhës, u shoqërua me thirrje për ndërhyrje institucionale dhe zgjidhje të drejtë për familjet e prekura.
Projekti TID në Durrës parashikon rikualifikimin e zonës historike të qytetit, duke përfshirë ndërhyrje urbanistike dhe shembjen e një numri banesash në lagjen nr.1, për t’i hapur rrugë zhvillimit të ri. Sipas njoftimeve që u janë dërguar banorëve, një pjesë e familjeve duhet të lirojnë banesat deri më 16 shkurt, çka ka shkaktuar kundërshtime për shkak të mënyrës së shpronësimit dhe vlerës së kompensimit. Banorët kanë zhvilluar protesta të mëparshme, duke kërkuar transparencë për projektin, rishikim të vlerësimeve financiare dhe garantimin e të drejtave të tyre pronësore.
Në bregdetin e Rrjollit, në Velipojë, familje që kanë toka të trashëguara prej brezash po kundërshtojnë një investim turistik strategjik që ka nisur punimet në zonë, ndërsa çështja e pronësisë mbetet ende pa zgjidhje përfundimtare nga institucionet. Banorët kanë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme kundër projektit, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe verifikimin e lejeve, pasi, sipas tyre, investimi po ndërtohet mbi tokat e tyre të trashëguara.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, me banorët që mbanin pankarta dhe bënin thirrje përmes megafonëve për mbrojtjen e pronave të tyre. Në tubim ishte i pranishëm edhe deputeti Agron Shehaj, i cili mbajti fjalën para protestuesve dhe publikoi pamje nga protesta në faqen e tij zyrtare.
Protestuesit nga të dy komunitetet theksuan se do të vazhdojnë reagimet e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje që garanton respektimin e të drejtës së pronës dhe trajtim të drejtë për familjet e prekura nga projektet. Ata kërkuan ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse dhe rishikim të vendimeve që, sipas tyre, cenojnë pronat dhe banesat e tyre.