Protestë për projektin TID, tensione jashtë mbledhjes së Këshillit Bashkiak
Protesta kundër projektit TID në Durrës u shoqërua me tensione, ndërhyrje policie dhe shoqërimin e disa protestuesve. Ndërkohë, mbledhja e Këshillit Bashkiak për shpronësimet u zhvillua mes debatesh dhe u braktis nga një pjesë e këshilltarëve.
Protestë e banorëve para bashkisë. Burimi: Media Amfora
Protesta kundër projektit TID në Durrës të martën u shoqërua me tensione, shoqërimin e disa protestuesve nga policia dhe bllokimin e një segmenti rruge, ndërsa mbledhja e Këshillit Bashkiak për shpronësimet u zhvillua mes debatesh dhe u braktis nga një pjesë e këshilltarëve.
Protestuesit u mblodhën në shesh dhe bllokuan rrugën “Aleksandër Goga”, nga Prefektura deri në fillim të bulevardit “Epidamn”, duke kërkuar dialog me kryetaren e bashkisë për projektin që prek banesat e tyre.
Situata u tensionua kur banorët rrethuan dhe ndoqën kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, duke e akuzuar për firmën në shkresën që u kërkon të largohen vullnetarisht nga banesat deri më 16 shkurt. Gjatë përplasjes, protestuesit tentuan që ti merrnin dosjen, ndërsa zyrtari u detyrua të tërhiqej mes thirrjeve të banorëve.
Pas agravimit të situatës, ndërhyri policia. Në vendngjarje mbërritën forcat e rendit dhe ato “Shqiponja”, ndërsa një furgon policie shoqëroi disa nga protestuesit. Një përfaqësi e protestuesve u fut në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila gjithashtu u shoqërua me momente tensioni.
Gjatë mbledhjes pati debate mes këshilltarëve për mënyrën e trajtimit të shpronësimeve. Këshilltarë të opozitës kërkuan që në sallë të lejohej një përfaqësuese e banorëve, për të shprehur shqetësimet e komunitetit, ndërsa më pas braktisën mbledhjen dhe iu bashkuan protestuesve jashtë bashkisë.
Projekti TID në Durrës synon transformimin e zonës historike përmes restaurimit të monumenteve dhe krijimit të hapësirave turistike, në bashkëpunim mes qeverisë shqiptare, Bashkisë Durrës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Ai financohet nga fondet publike dhe donatorë, por parashikon edhe shpronësime dhe prishje banesash në zonën e vjetër të qytetit.
Prej muajsh, banorët e prekur kanë organizuar protesta dhe procese gjyqësore, duke kundërshtuar projektin për mungesë transparence, konsultimi dhe dëmshpërblime që i konsiderojnë nën vlerën e tregut.
Banorëve të prekur nga projekti TID iu bashkuan mesditën e të hënës edhe banorë që kundërshtojnë projektin e unazës që lidh Currilat me rrugën “Aleksandër Goga”.