Nga terreni në ekspozitë, finalizohet puna projektuese për banesat e Gjirokastrës 

Studentët e arkitekturës në Universitetin POLIS prezantuan projektet e restaurimit për banesat historike në Gjirokastër, pas punës me dokumentimin në terren dhe zhvillimin e propozimeve. Punimet synojnë ruajtjen dhe riaktivizimin e objekteve që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së qytetit.

Ekspozita studentore “Restaurimi i Banesave në Gjirokastër” u hap më 6 shkurt në Galerinë “Gëzim Qendro” të Universitetit POLIS, ku u prezantuan projektet e realizuara nga studentët e vitit të katërt të programit Arkitekturë në kuadër të lëndës “Restaurimi i Trashëgimisë Kulturore”.

“Kjo është një punë e mirëfilltë nga fillimi deri në fund të procesit, ku studentët jo vetëm dokumentojnë banesat, por japin edhe propozime konkrete për mënyrën se si ato mund të riaktivizohen”, u shpreh Dr. Nikolla Vesho, pedagogu i lëndës për Median Amfora.

Sipas Nikolla Veshos, i cili ka ndjekur gjithë procesin e punës në terren, dokumentimi i detajuar i këtyre objekteve është një hap i domosdoshëm për ruajtjen e trashëgimisë, pasi një pjesë e banesave historike rrezikon degradimin.

“Shumë prej këtyre banesave janë 250 – 300 vjeçare. Duke i skanuar dhe dokumentuar, ne krijojmë materialin e nevojshëm që në të ardhmen të mund të ringrihen ashtu siç kanë qenë”, theksoi ai.

Ceremonia e hapjes mblodhi pedagogë, drejtues të universitetit, përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore, bashkëpunëtorë dhe studentë, duke e kthyer ekspozitën në një hapësirë takimi mes akademisë dhe aktorëve të terrenit. Studentët prezantuan projektet dhe procesin e punës së zhvilluar përgjatë disa muajve. Hapja u shoqërua edhe me një interpretim të këngës polifonike nga një artist i ardhur nga Gjirokastra, në kuadër të bashkëpunimit të projektit me zonën.

Gjatë ekspozitës “Restaurimi i i banesave gjirokastrite”. Foto: Media Amfora

Kristiana Meço, e cila ka përfunduar doktoraturën për restaurimin e arkitekturës moderne dhe është asistente në lëndën “Restaurimi i Trashëgimisë Kulturore”, tha se puna e studentëve do të përmblidhet edhe në një botim të posaçëm.

“Hapi tjetër i kësaj nisme është botimi i një libri trevjeçar me punët e studentëve, ku për tre vite ne kemi mbledhur të gjitha punët që janë bërë për Gjirokastrën dhe këtë vit do të finalizohet me botimet nga Polis Press, që do të jetë ‘Banesat gjirokastrite, punët e studentëve’”, tha Kristiana Meço.

Sipas saj, procesi ka përfshirë dokumentim të detajuar në terren dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore për matje të sakta.

“Kjo është një punë e mirëfilltë nga fillimi deri në fund, duke qenë se studentët kanë qenë dy javë në terren çdo ditë, bëjnë matje pa fund, përdorin dronë dhe lazermetra, krahas teknologjisë tradicionale, dhe jam shumë e sigurt që për vitet e ardhshme ky libër do t’i ndihmojë shumë studentët”, shtoi ajo.

Më pas, emra të njohur të trashëgimisë kulturore në vend dhe specialistë të fushës, pasi panë nga afër punimet e studentëve, ndanë çmime për: projektin me mundësi realizimi në të ardhmen e afërt, projektin me propozimin më të mirë të riadaptimit, projektin me vështirësi teknike, projektin me paraqitjen më të mirë grafike, “Social Media Prize” dhe çmimin e përkushtimit.

Grupi i punës në projketin në kuadër të lëndës “Restaurimi i Trashëgimisë Kulturore”. Foto: Media Amfora

Ekspozita u organizua si përmbyllje e një procesi disa mujor pune, që nisi me dokumentimin në terren të banesave gjirokastrite dhe vijoi me analiza e propozime për restaurimin dhe riaktivizimin e tyre, një pjesë e të cilave, ndonëse janë monumente kulture, përballen me degradimin si pasojë e mungesës së restaurimit.

Organizatorët synojnë që kjo nismë të vijojë edhe në zona të tjera me vlera të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë studentët në projekte konkrete dokumentimi dhe restaurimi.