Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut
Gjykata Kushtetuese pas seancës maratonë ditën e premte, i ndau votat në mënyrë të barabartë, 4 me 4, për kërkesën e kryeministrit Edi Rama që kundërshtonte pezullimin e Belinda Ballukut. Sipas rregullave procedurale, në rast barazimi kërkesa konsiderohet e rrëzuar, çka bën që masa e pezullimit të mbetet në fuqi.
Foto e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës. Burimi: Facebook
Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën e nevojshme për të rrëzuar pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Në seancën e mëparshme në Gjykatën Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbrojti masën e pezullimit, duke e konsideruar atë të nevojshme për të shmangur komprometimin e provave në hetimin penal ndaj Ballukut.
Çështja kishte të bënte me konflikt kompetencash mes qeverisë dhe gjyqësorit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar atë nga detyra në kuadër të hetimeve për procedura tenderuese, përfshirë projektin e tunelit të Llogarasë dhe disa lote të projekteve rrugore në Tiranë.
Qeveria kishte ankimuar vetëm masën e pezullimit, duke argumentuar se ajo cenonte funksionimin e pushtetit ekzekutiv, ndërsa nuk kundërshtonte vijimin e hetimit penal.
Sipas njoftimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime për çështjen e imunitetit të ministrit dhe nevojën e autorizimit të Kuvendit për masën e pezullimit. Mosarritja e shumicës e la në fuqi vendimin e mëparshëm të pezullimit. Me këtë zhvillim, Balluku mbetet e pezulluar nga detyra, ndërsa Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe kërkesën e SPAK për një masë më të rëndë, atë të arrestit.