Organizatat e medias reagojnë pas dhunës ndaj gazetarit në Vlorë 

Një incident gjatë raportimit të një proteste ka vënë në pikëpyetje sigurinë e profesionistëve të informacionit në terren. Shoqata profesionale të gazetarëve kanë dënuar aktin dhe i kanë bërë thirrje institucioneve që rasti të hetohet me seriozitet maksimal.

Më 4 shkurt, gjatë pasqyrimit të një proteste të punonjësve të shërbimeve publike, një incident me sulm verbal dhe fizik u regjistrua ndaj gazetarit të Syri TV, Gentian Këllçiu, teksa ushtronte detyrën në një ambient publik, rast për të cilin reaguan shoqatat në mbrojtje të punonjësve të medias. 

“Ky akt përbën një shkelje të rëndë të lirisë së medias dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë së gazetarëve në terren”, thuhet në reagimin e Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), bërë publik mbrëmjen e të mërkurës. 

Për ngjarjen ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Vlorës, e cila ka dënuar aktin dhe ka ngritur shqetësimin për sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. 

“Pavarësisht përpjekjeve përmes akteve të dhunës për të ndaluar trajtimin dhe transmetimin e çështjeve të caktuara, ajo që mbetet e patjetërsueshme është se për gazetarin prevalon interesi i qytetarëve, veçanërisht i atyre shtresave që kanë nevojë për zërin e medias”, shkruhej në reagimin e shoqatës së gazetarëve të qytetit bregetar, shpërndarë në rrjetet sociale. 

Ngjarja ndodhi gjatë raportimit nga terreni të një proteste të punonjësve të shërbimeve publike, ku gazetari po kryente detyrën informuese në një hapësirë të hapur për publikun.
Sulmi u krye nga një individ i pranishëm në vendngjarje dhe u shoqërua me fyerje, kërcënime dhe dhunë fizike, ndërsa rasti është referuar pranë organeve ligjzbatuese.

Shoqatat e gazetarëve i kanë bërë thirrje institucioneve ligjzbatuese që rasti të trajtohet me seriozitet maksimal dhe autorët të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit. 

“I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese dhe Prokurorisë që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, të hetojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe të garantojnë ndëshkimin e autorit”, thuhet në deklaratën e AGSH. 

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës ka dënuar aktin e dhunës dhe ka shprehur shqetësim për reagimin e munguar institucional ndaj rasteve të intimidimit të gazetarëve në terren.

“Dënojmë jo vetëm individin që ka kryer aktin e dhunimit, por edhe reagimin e cunguar institucional ndaj kësaj ngjarjeje”, vijoi deklarata. 

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Vlorës, e cila njoftoi se rasti është referuar pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore dhe se autori i dyshuar është proceduar penalishtë. 

“Materialet janë referuar në Prokurori për veprat penale ‘Goditja për shkak të detyrës’ dhe ‘Dëmtime të tjera me dashje’, në ngarkim të  autorit të dyshuar shtetasit me inicalet  A. H., 33 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës. 

Ky nuk është rasti i parë i përfshirjes së gazetarëve në incidente gjatë ushtrimit të detyrës, duke rikthyer vëmendjen te siguria e tyre në terren.