Piktura kontrabandë në Portin e Durrësit

Dy piktura u sekuestruan në hyrje të Shqipërisë gjatë kontrollit të një kamioni, pasi nuk shoqëroheshin me dokumentacion blerjeje. Drejtuesi i mjetit, një 47-vjeçar nga Malësia e Madhe, u procedua penalisht për rastin.

Gjatë një kontrolli kufitar në Porti i Durrësit, janë konstatuar vepra arti pa dokumentacion shoqërues në një kamion që hynte në territorin shqiptar, rast për të cilin Policia e Durrësit njoftoi zyrtarisht më 2 shkurt.

“Nga kontrolli i kryer në një kamion në hyrje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën mallra të dyshuara kontrabandë, konkretisht 2 piktura, 14 shishe verë dhe 4 goma për automjet, pasi për to nuk disponoheshin fatura blerjeje”, njoftoi Policia e Durrësit në komunikatën për shtyp të hënën.

Në vijim të veprimeve procedurale, pikturat dhe mallrat e dyshuara si kontrabandë u sekuestruan, ndërsa drejtuesi i kamionit u procedua penalisht në gjendje të lirë.

“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e kamionit, 47-vjeçarin me inicialet E. A., banues në Malësi të Madhe”, shpjegoi policia.

Ky nuk është rasti i parë kur në Portin e Durrësit evidentohen tentativa për futjen ose nxjerrjen e veprave të artit jashtë kanaleve ligjore. Në një rast të raportuar më herët nga Amfora, në maj 2025, Policia Kufitare bllokoi trafikimin e 10 pikturave në port, duke arrestuar një person dhe shpallur në kërkim dy të tjerë, nën dyshimet për trafikim të veprave të artit dhe kulturës, pasi pikturat nuk shoqëroheshin me dokumentacion që provonte origjinën dhe pronësinë e tyre.

Përsëritja e këtyre episodeve rikthen shqetësimin mbi kontrollin e qarkullimit të veprave artistike në pikat kufitare dhe mbi mënyrën se si mbrohen vlerat kulturore nga tregtia e paligjshme.

Mungesa e ekspertëve të specializuar në fushën e artit e vështirëson procesin e verifikimit të vlerës, autorësisë dhe rëndësisë kulturore të veprave të sekuestruara. Amfora ka ndjekur prej kohësh këtë temë, duke evidentuar jo vetëm raste të kapjes së pikturave pa dokumentacion në pikat kufitare, por edhe ngatërrimin e tregtarëve të sendeve të përdorura me trafikantë të artit, çka thekson vështirësitë me të cilat përballet sistemi i verifikimit dhe nevojën për standarde të qarta në identifikimin dhe trajtimin e veprave artistike në zinxhirin e tregtisë.