Aksidentet rrugore në Durrës: 3 “gropa të zeza” ku rreziku përsëritet
Aksidentet rrugore në Durrës nuk janë të shpërndara rastësisht, por përqendrohen në disa segmente me rrezik të lartë. Të dhënat zyrtare identifikojnë tre “gropa të zeza”, ku fluksi i lartë i mjeteve dhe shkeljet e qarkullimit e bëjnë sigurinë rrugore një problem të vazhdueshëm, ndërsa janari ka shënuar dy humbje jete dhe disa të plagosur.
Policia Rrugore gjatë një monitorimi në terren në Durrës. Foto: Media Amfora
Rrugët dhe akset kryesore në Durrës kanë tre pika të konsideruara me rrezikshmëri të lartë për aksidente rrugore, sipas vlerësimit të specialistëve të qarkullimit rrugor.
“Akset rrugore më problematike janë segmenti Maminas – Gjiri i Lalëzit, Hyrja 4 e Portit dhe Unaza Skozet – Plepa, për shkak të rritjes së fluksit të mjeteve pothuajse gjatë gjithë vitit”, tha Policia e Durrësit në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Pavarësisht se Policia vlerëson një ulje të numrit të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar, pasojat mbeten të rënda dhe të përqendruara kryesisht në këto segmente problematike. Humbjet e jetës dhe numri i të plagosurve tregojnë se rreziku nuk është zhdukur, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e përdorimit të rrugës dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.
Në këto segmente, aksidentet lidhen kryesisht me shkelje të përsëritura të qarkullimit rrugor dhe fluks të lartë mjetesh, faktorë që Policia i cilëson si burim kryesor të rrezikut. Pikërisht në këto drejtime janë përqendruar edhe kontrollet e Policisë Rrugore gjatë vitit 2025.
“Sektori i Policisë Rrugore ka orientuar shërbimet drejt shkeljeve që janë burim aksidenti, duke intensifikuar kontrollet dhe instruktazhin për drejtuesit e mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe minimizimin e pasojave të tyre”, sqaroi përgjigjja zyrtare.
Viti 2026 ka nisur me një sërë aksidentesh rrugore në territorin e Durrësit, duke e kthyer sigurinë në këto segmente problematike në një shqetësim real për qytetarët. Vetëm gjatë muajit janar janë regjistruar aksidente me pasojë humbje jete dhe të plagosur, si në akse urbane ashtu edhe në rrugë hyrëse-dalëse të qytetit, përfshirë zona me fluks të lartë mjetesh dhe lëvizje të këmbësorëve.
Të dhënat e Policisë tregojnë se, pavarësisht uljes së numrit total të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar, rreziku mbetet i përqendruar në disa pika konkrete të qarkullimit. Këto segmente, të cilësuara si “gropa të zeza”, vijojnë të shfaqen si skena të aksidenteve, duke dëshmuar se problemi nuk lidhet vetëm me shifra vjetore, por me hapësira specifike ku kërkohet vëmendje e shtuar dhe masa të vazhdueshme parandaluese.
Identifikimi i këtyre zonave synon të informojë dhe të paralajmërojë qytetarët, drejtuesit e mjeteve dhe institucionet për pikat ku rreziku përsëritet, në një kohë kur siguria rrugore mbetet një nga sfidat më të ndjeshme të përditshmërisë urbane në Durrës.
Që nga fillimi i muajit janar e deri më 26 janar, në territorin e Durrësit janë regjistruar 6 aksidente rrugore, me pasojë 2 humbje jete dhe 7 persona të plagosur. Aksidentet kanë përfshirë përplasje me këmbësorë, dalje nga rruga dhe humbje kontrolli të mjeteve, si në akse urbane ashtu edhe në segmente hyrëse-dalëse të qytetit, duke e bërë fillimin e vitit 2026 një tregues shqetësues për sigurinë rrugore.
Gjatë vitit 2025, Policia Rrugore në Durrës ka ndëshkuar mijëra shkelje që lidhen drejtpërdrejt me aksidentet rrugore dhe pasojat e tyre. Sipas të dhënave zyrtare, janë konstatuar 1 373 raste parakalimi të gabuar, 60 raste drejtimi mjeti nën ndikimin e alkoolit, 2 477 raste përdorimi të celularit gjatë drejtimit, 1 224 raste pa kaskë mbrojtëse dhe 3 462 raste mosvendosjeje të rripit të sigurimit. Për shkelje të rënda, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, janë pezulluar 395 leje drejtimi.
Këto shkelje, të cilat policia i cilëson si burim kryesor aksidenti, shfaqen kryesisht në akse me fluks të lartë qarkullimi dhe përforcojnë vlerësimin se rreziku rrugor në Durrës nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me sjelljen e drejtuesve të mjeteve – veçanërisht në zonat e identifikuara si “gropa të zeza”.