Vlora në kolaps për ujë: 2026 rrezikon ta gjejë qytetin pa zgjidhje
Qyteti i Vlorës po kalon ditën e katërt pa furnizim me ujë të pijshëm pas një defekti në tubacionin kryesor të transmetimit. Ndërsa ujësjellësi flet për një zgjidhje të afërt, qytetarët e cilësojnë situatën si kolaps dhe paralajmërojnë rrezik për vitin 2026.
Gjatë punës për riparimin e defektit në rrjetin e ujësjellësit. Foto: Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë.
Mungesa e ujit ka prekur të gjithë rrjetin urban, duke lënë mijëra banorë pa furnizim dhe duke detyruar familjet të mbështeten te rezervat private ose burimet publike.
“Vlora është në kolaps, sepse i gjithë qyteti është pa ujë dhe njerëzit po i drejtohen burimeve”, tha për Amforën qytetari Konstandin Xhaho. Ai pohoi se për situatën u informua vetëm pasi i mbaroi uji në depozitën private dhe më pas përmes mediave. “E kuptova që kishte një problem serioz kur mbaroi uji i depozitës, sepse në Vlorë jemi mësuar me mungesën e ujit, ndërsa më pas e mora vesh nga mediat”, tha ai.
Situata ka nxitur pakënaqësi të gjerë dhe protesta, me qytetarët që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe informacion të qartë nga institucionet përgjegjëse.
Nga ana tjetër, drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë, Ermal Murati, deklaroi se ndërprerja lidhet me një defekt serioz teknik në rrjet.
“Është dëmtuar tubi kryesor i transmetimit DN 1000 mm, një tub presioni të lartë që furnizon qytetin”, tha ai për Median Amfora. DN i referohet diametrit nominal të tubacionit dhe në këtë rast bëhet fjalë për një tub me diametër rreth një metër, i cili shërben si linja kryesore e furnizimit me ujë për Vlorën.
Tubacioni i dëmtuar është linja kryesore që furnizon depot e ujit dhe gjithë rrjetin urban të Vlorës, ndërsa sipas ujësjellësit është pjesë e një investimi të realizuar gjatë viteve 2009 – 2021.
“Prej rreth 72 orësh ekipet janë në terren për të riparuar defektin dhe besojmë se furnizimi me ujë do të rikthehet gjatë ditës së nesërme”, shtoi Murati.
Megjithatë, qytetarët shprehin mosbesim se situata do të zgjidhet në një afat të shkurtër.
“Nuk ka asnjë garanci që kjo situatë do të marrë fund, madje kam frikë se viti 2026 do ta gjejë Vlorën ende pa ujë”, tha Xhaho.
Edhe pse bashkia po përpiqet të furnizojë disa zona me autobote, masa mbetet e pamjaftueshme, pasi shumë zona, veçanërisht ato bregdetare, nuk kanë depozita për ruajtjen e ujit. Si pasojë, pa furnizim kanë mbetur jo vetëm familjet, por edhe institucione me rëndësi të veçantë, si spitalet dhe kopshtet.
Situata rëndohet edhe nga rikthimi i emigrantëve për festat e fundvitit, në një kohë kur Vlora ka qenë e rezervuar për pushime, duke rritur ndjeshëm kërkesën për ujë dhe presionin mbi një sistem tashmë të dëmtuar. Amfora ka analizuar më herët efektet e mungesës së ujit në zonat turistike, ku kriza ka sjellë dëme ekonomike, protesta dhe zhgënjim për sektorin turistik, duke treguar se problemet strukturore me furnizimin me ujë nuk janë të reja për bregdetin shqiptar.
Ndërsa autoritetet premtojnë rikthimin e furnizimit, kriza e ditëve të fundit në Vlorë rikthen edhe një herë nevojën për zgjidhje afatgjata dhe menaxhim të qëndrueshëm të një shërbimi jetik për qytetin dhe zonat turistike përreth.