Banorët kalojnë në fazë të re rezistence kundër projektit TID në Durrës

Lëvizja qytetare kundër projektit TID ka hyrë në një etapë të re, me nisjen e një letre të hapur kundërshtuese dhe krijimin e një Forumi Konsultativ Vendor. Banorët kërkojnë transparencë dhe respektim të ligjit, duke paralajmëruar ndjekje ligjore dhe reagim kolektiv për çdo banesë të prekur.

Banorët e tre lagjeve që do të preken nga projekti TID u mblodhën të martën në Durrës, ku përmes një proteste të radhës bënë publike nisjen e një letre të hapur kundërshtuese dhe krijimin e një Forumi Konsultativ Vendor, duke i cilësuar këto hapa si reagim ndaj mungesës së transparencës dhe konsultimit në procesin e projektit.

“Sot jemi këtu për të thënë që nuk jemi kundër zhvillimit, por kundër padrejtësisë dhe kundër fshirjes së banorëve nga harta e qytetit të tyre”,  u shpreh Kudrete Velaj, gjatë protestës së zhvilluar në Sheshin Liria.

Banorja, banesa e së cilës preket nga zbatimi i këtij projekti, u shpreh se ata do të jenë të bashkuar në çdo nismë që do të ndërmerret në të ardhmen.
“Ne do të jemi të pranishëm në çdo hap që do të bëhet, sepse vetëm së bashku do të mbrojmë shtëpitë tona”, tha ajo.

Banorët shprehen se e kundërshtojnë projektin TID për shkak të mungesës së transparencës dhe konsultimit publik gjatë procesit të planifikimit, duke theksuar se përfshirja e banesave të tyre në listat e shpronësimit u është komunikuar vetëm në momentin e fundit. Sipas tyre, procedurat ligjore për miratimin e Planit të Detajuar Vendor nuk janë ndjekur siç parashikon ligji, ndërsa dëmshpërblimi i parashikuar nuk reflekton humbjen e banesave, jetesës dhe lidhjes së tyre me lagje ku jetojnë prej vitesh.

Banorët protestuan gjatë mesditës përpara Bashkisë së Durrësit, ndërsa Këshilli Bashkiak ishte mbledhur në seancën e radhës, ku po diskutohej buxheti për vitin e ardhshëm. Gjatë protestës, ata artikuluan kundërshtimin e tyre ndaj projektit me thirrje si “Larg duart nga pronat tona”.

Projekti TID është një ndërhyrje e gjerë urbanistike që parashikon transformimin e një zone të banuar të qytetit, duke përfshirë shembje banesash dhe shpronësime pronash, çka ka nxitur kundërshtimin e banorëve për shkak të ndikimit social dhe mungesës së konsultimit publik.

Përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, deklaroi se protesta e radhës synon formalizimin e kundërshtimit të komunitetit përmes një letre të hapur drejtuar institucionit që financon projektin.
“Jemi sërish në protestë për të firmosur një letër të hapur drejtuar Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili mban përgjegjësi për financimin e projektit”,  tha ajo.

Më tej, Koja argumentoi se kundërshtimi i projektit mbështetet në shkelje procedurale që, sipas saj, lidhen me mungesën e kontrollit institucional.
“Kemi gjetje të forta ligjore që tregojnë se Këshilli Bashkiak i Durrësit nuk ka ushtruar detyrën e tij për kontrollin e procedurave dhe hapjen e Planit të Detajuar Vendor”. 

Ajo paralajmëroi se, nëse nuk pranohet ngritja e një komisioni hetimor, banorët do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.
“Nëse nuk pranohet ngritja e një komisioni hetimor, kjo çështje do të bëhet pjesë e proceseve tona gjyqësore dhe banorët do të vijojnë reagimin e përbashkët”, shtoi ajo. 

Koja bëri të ditur edhe krijimin e një strukture organizative për përfaqësimin kolektiv të komunitetit.
“Sot shpallim krijimin e Forumit Konsultativ Vendor, i cili do të jetë në mbrojtje të të gjithë banorëve që preken nga projekti TID dhe do të funksionojë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të komunitetit”, përfundoi ajo. 

Projekti TID do të zbatohet nga Bashkia e Durrës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, me mbështetje financiare të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, dhe parashikon transformimin urban të një zone të banuar që përfshin tre lagje të qytetit, përmes ndërhyrjeve infrastrukturore, shembjes së banesave ekzistuese dhe shpronësimeve të pronave.