Peticion kundër “TID Durrës”, qytetarët ngrihen për trashëgiminë dhe pronën

Qytetarët e Durrësit kanë nisur nënshkrimin e një peticioni kundër projektit “TID Durrës”, duke kërkuar ndalimin e zbatimit dhe hapjen e një procesi real konsultimi publik. Ata e konsiderojnë projektin të paqartë, pa transparencë dhe me rrezik për trashëgiminë, identitetin dhe pronën në qendrën historike të qytetit.

Në Durrës, qytetarët nisën të mërkurën nënshkrimin e një peticioni kundër projektit “TID Durrës”, duke kërkuar që zbatimi i tij të ndalet deri në zhvillimin e një procesi transparent konsultimi publik, pasi sipas tyre rrezikon trashëgiminë dhe pronën në qendrën historike të qytetit.

“Banorët e lagjeve 1, 2 dhe 3 të Durrësit kundërshtojnë zbatimin e këtij projekti, sepse cenon zonën historike dhe pronat tona”, u shpreh në nisje të protestës një prej përfaqësueseve të komunitetit përpara Bashkisë së qytetit bregdetar.

Banorët dhe jo vetëm, të prekur drejtpërdrejt ose të shqetësuar për ndërhyrjet në zonën historike të qytetit, shprehim kundërshtimin ndaj mënyrës së përgatitjes dhe zbatimit të projektit “TID Durrës”, i cili po zhvillohet pa transparencë, pa konsultim publik dhe në kundërshtim me ligjin.

“Nuk kishim asnjë informacion se çfarë do të ndodhte, as konsultime. Thjesht një ditë mësuam se do të na merret shtëpia dhe prona për një projekt për lulishte-dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, u shpreh një tjetër protestues. 

Protesta e 30 tetorit vjen pas shqetësimeve të shtuara të banorëve për projektin “TID Durrës”, një nismë e përbashkët e Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon transformimin e qendrës historike të qytetit. Sipas banorëve, prapa premtimeve për “rivetëzimin” e zonës fshihet rreziku për prishje banesash, shpronësime dhe humbjen e karakterit historik të lagjeve pranë kalasë.

Ata thanë se nuk janë informuar për përmbajtjen e projektit dhe se nuk është zhvilluar asnjë proces konsultimi publik me komunitetin e prekur. Për shumë familje që jetojnë prej dekadash në këtë pjesë të Durrësit, nisma shihet si një “zhvendosje e detyruar” në emër të një projekti që, sipas tyre, po përgatitet pa transparencë.

Përballë hyrjes së Bashkisë ishte vendosur një stendë me mbishkrimin e madh “Ndihmo.. Firmos peticionin!”.  Mbi të ishin vendosur fletët ku qytetarët nisën të firmosnin për kundërshtimin ndaj projektit. Ndërsa një hartë e vogël e zonës së prekur nga ‘TID Durrës’ tregonte rrugicat dhe shtëpitë që, sipas banorëve, rrezikohen nga ndërhyrjet. Në posterin e stendës lexohej: “Për 74+100 familje të shpërnguara nga TID Durrës” -një kujtesë vizuale për pasojat që komuniteti sheh në projektin që synon të zbatohet.

Në pedicionin e shpallur qytetarët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të projektit “TID Durrës” dhe hapjen e një procesi të hapur konsultimi publik me banorët e zonës. Në peticion, ata paralajmërojnë se projekti rrezikon trashëgiminë kulturore dhe karakterin historik të zonës së mbrojtur rreth Kalasë së Durrësit, cenon të drejtën e pronës dhe preket drejtpërdrejt jeta e komunitetit që jeton aty prej dekadash.

Gjatë protestës së organizuar nga banorët kundër projektit TID në Durrës. Foto: Media Amfora

Sipas peticionit, projekti “TID Durrës” shihet nga banorët si një ndërhyrje që rrezikon trashëgiminë kulturore dhe karakterin historik të zonës së mbrojtur përreth Kalasë së Durrësit, një nga hapësirat më të ndjeshme të qytetit antik. Ata paralajmërojnë se ndërhyrjet e planifikuara mund të ndryshojnë përgjithmonë fizionominë e zonës muzeale dhe të zbehim kujtesën historike që Durrësi ruan në muret e tij mijëravjeçare.

Një tjetër shqetësim i ngritur në dokument është cenimi i të drejtës së pronës, pasi zbatimi i projektit prek banesa ekzistuese dhe mënyrën e jetesës së qindra familjeve që identifikohen me këtë lagje historike. Ata kujtuan  se legjislacioni shqiptar e detyron përfshirjen e pronarëve dhe ekspertëve lokalë në çdo plan të tillë zhvillimi.

“Çdo ndërhyrje duhet të kryhet me respekt për ligjin, trashëgiminë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar”,  thuhet në peticionin qytetar.

Projekti “TID Durrës” synon rikualifikimin urban të qendrës historike të qytetit dhe kthimin e saj në një destinacion turistik dhe tregtar. Sipas planeve të paraqitura publikisht, projekti parashikon ndërhyrje në zonën pranë Kalasë, me hapësira pedonale, lulishte dhe struktura të reja për biznese e vizitorë.

Por për banorët, pas këtij vizioni “modernizues” fshihet një rrezik real për prishje banesash, shpronësime dhe humbje të identitetit historik të lagjeve të vjetra. Ata theksojnë se projekti është hartuar pa konsultime dhe pa respektuar jetën e komuniteteve që prej dekadash jetojnë në atë pjesë të qytetit.

Kundërshtimet ndaj “TID Durrës” nuk janë të sotme banorët kanë organizuar disa protesta gjatë muajve të fundit, si para zyrave të (AADF) në Tiranë, ashtu edhe në Durrës, duke denoncuar atë që e quajnë “projekt për pastrimin social të qendrës historike”.

Përpara bashkisë, atmosfera ishte e qetë, por e ngarkuar me mesazhe të forta. Pankartat e vendosura në duart e banorëve e përkthenin në fjalë të thjeshta shqetësimin e tyre: “Kryetare Emirjana Sako -ndalo shpronësimet!”, “Bashkia Durrës, turp për vendimin tuaj!”, apo “AADF = korrupsion, stop TID Durrës!”.

Të tjerë mbanin postera dorëshkruar, ku lexohej “Shtëpitë janë selia jonë- jo për t’u shkatërruar” dhe “Sathem në shtëpinë time”, mesazhe që flisnin për frikën e humbjes së banesës, por edhe për lidhjen e fortë që komuniteti ka me këtë hapësirë historike.

Në stendën pranë tyre, banorët u bënin thirrje qytetarëve të tjerë që t’u bashkoheshin: “Ndihmo… firmos peticionin!”- një apel solidariteti përtej lagjeve dhe interesave personale, që e kthen kauzën në çështje publike për mbrojtjen e trashëgimisë dhe të drejtës për pronë.

Peticioni, që pritet të mbledhë firmat e qindra banorëve të zonës, shënon hapin më të fundit të komunitetit për të kërkuar transparencë dhe zë në vendimmarrjet që prekin trashëgiminë dhe identitetin historik të Durrësit.