Ish-drejtori i Parkut Divjakë-Karavasta nderohet me vlerësim ndërkombëtar

Çmimi “EuroNatur”, një nga më prestigjiozët në Evropë për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, i është akorduar këtë vit ish-drejtorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi, nga Fondacioni Evropian për Natyrën.

Ish-drejtori i Parkut Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi është nderuar me çmimin e njohur si “EuroNatur” për kontributin e tij në mbrojtjen e parkut, të cilin e drejtoi prej shumë vitesh.

 “Duam të nderojmë këtë dedikim të madh të tij duke i dhënë çmimin EuroNatur”, thuhet në faqen zyrtare të organziatës gjermane, një nga më të njohurat në Evropë për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

Lajmi për vlerësimin e ish-drejtorit Koçi me këtë titull të rëndësishëm është përshëndetur nga ambjentalistë, aktivistë mjedisorë, punonjës dhe ish-punonjës të parkut.

“Fakti që ka ende kaq shumë jetë në Lagunën e Karavastasë është falë një personi në veçanti: Ardian Koçi. Gjatë mandatit të tij si drejtor i parkut kombëtar, ai ka qenë një avokat shembullor për mbrojtjen e zonës dhe, duke vepruar kështu, ka krijuar armiq me ndikim në vend”, thuhet më tej në njoftimin e publikuar nga organizata.

Koçi në rolin e tij si drejtor prej shumë vitesh tregoi shembullin e ruajtjes së parkut në mënyrë profesionale dhe pse jo pa kosto. Koçi dha dorëheqjen nga posti i drejtorit në korrik të vitit 2023, ndërsa kundërshtoi disa projekte që prekin kufinjtë e parkut.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga zonat e mbrojtura në vendin tonë për shkak të biodiversitet edhe rëndësisë së tij si ekosistem unik mesdhetar.

Ndryshimet ligjore të ndërmara në muajin shkurt të këtij viti sa i përket Zonave të Mbrojtura i hapën rrugën shumë projekteve, të cilat synojnë turizmin masiv në dëm të peizazheve natyrore apo parqeve kombëtare në shumë zona në Shqipëri.

Parku i mbrojtur Divjakë- Karavasta, është kthyer prej vitesh në një atraksion turistik, ndërsa është i njohur për praninë e pelikanëve “Dalmatian” ose siç njihen pelikanët kaçurrel.

Sipas publikimit të organizatës gjermane ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 16 tetor 2025, në ishullin Mainau, në Liqenin e Konstancës, ndodhur në kufirin midis Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë.