Akuza për ndërtime pa leje në Ishëm, arrestohet ish-kreu i IMT-së në Durrës
Policia e Durrësit arrestoi ish-kreun e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim pa leje në Ishëm gjatë kohës që ushtronte detyrën. Halili drejtoi institucionin nga maji i vitit 2018 deri në prill të vitit 2021, kur u largua mes polemikave me bashkinë e qytetit bregdetar.

Policia e Shtetit gjatë një aksioni në terren. Foto: Media Amfora
Policia e Durrësit njoftoi se arrestoi të mërkurën ish-kreun e IMT-së i akuzuar për ndërtim pa leje në zonën e Ishmit.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin Ardian Halili, 55 vjeç, banues në Tiranë”, bëri të ditur Drejtoria Vendore e Policisë në Durrës në një komunikatë për shtyp të shpërndarë për mediat paraditen e 27 gushtit.
Sipas informacionit zyrtar, ish-kreu i IMT-së është ndaluar nën dyshimet për ndërtime pa leje në zonën e Ishmit gjatë kohës që drejtonte këtë institucion.
“Në vitin 2017, kur mbante detyrën e kryeinspektorit të IMT Durrës, Halili dyshohet se ndërtoi pa leje disa objekte banimi (shtëpi pushimi) në fshatin Shetaj, Ishëm”, theksohet në njoftimin e Policisë së Durrësit.
Sipas hetimeve, ish-inspektori ka ndërtuar pa leje disa ndërtesa në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm, me qëllim përdorimin e tyre si shtëpi pushimi. Ardian Halili u emërua më 7 maj 2018 në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit, institucion që sot njihet me emrin IMT, dhe e mbajti këtë detyrë deri në prill 2021.
Në atë kohë, Halili deklaroi se kontrata e punës iu ndërpre nga Bashkia Durrës në fillim të marsit, ndërsa zyrtarisht bashkia njoftoi se ai kishte dhënë dorëheqjen. Pas gati tre vitesh në këtë post, Halili u zëvendësua nga Dorian Mema, drejtuesi aktual i IMT-së.
Zona e Ishmit, ku dyshohet se janë realizuar ndërtimet e paligjshme nga ish inspektori, është ndër më të kërkuarat në bregdetin e Durrësit për shkak të potencialit të lartë turistik.