Pelegrinazhi i ditëve të shenjta të Tomorrit, tradita shpirtërore që bashkon të gjitha besimet

Pelegrinazhi i ditëve të shenjta të Tomorrit po mbledh mijëra besimtarë e vizitorë në malin e shenjtë të Komunitetit Bektashian, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masa të posaçme për rendin, sigurinë dhe qarkullimin rrugor gjatë kësaj feste.

Që prej datës 18 gusht, Mali i Tomorrit është kthyer në një nga vendet më të frekuentuara të Shqipërisë, ku mijëra besimtarë bektashinj dhe vizitorë nga i gjithë vendi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora marrin pjesë në pelegrinazhin e shenjtë kushtuar Abaz Aliut. Ky ritual i trashëguar brez pas brezi është shndërruar në një nga ngjarjet fetare dhe kulturore më të rëndësishme të vendit, duke e kthyer malin e Tomorrit në simbol të tolerancës, bashkimit shpirtëror dhe mikpritjes shqiptare.

Gjatë këtyre ditëve, Teqeja e Kulmakut, e vendosur në Malin e Tomorrit, është mbushur me pelegrinë që ndezin qirinj, bëjnë kurbane, luten dhe kërkojnë bekim. Për shumë familje shqiptare, pelegrinazhi është jo vetëm një rit fetar, por edhe një moment bashkimi, ku besimtarë të të gjitha besimeve takohen, ndajnë traditat dhe shndërrojnë malin në një hapësirë feste. Atmosfera e pelegrinazhit, ku feja, kultura dhe shoqëria ndërthuren, e bën Tomorrin një pikë unike referimi për besimtarët dhe vizitorët.

Ky pelegrinazh i shenjtë i kushtohet Abaz Aliut, figurës së njohur të Bektashizmit që lidhet me ngjarjen e Qerbelasë, e nderuar nga besimtarët si simbol i sakrificës dhe lutjes. Në kulmin e festës mesditën e 22 gushtit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përcolli urimet e tij për paqe, dashuri dhe harmoni mes njerëzve.

“Ky pelegrinazh është dëshmi e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe mesazh i qartë se besimi dhe toleranca na bëjnë më të forte”, u shpreh Brahimaj.

Ndërsa për herë të parë pas 30 vitesh ceremonia zyrtare e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit u anulua për shkak të motit të keq. Ndërsa kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, njoftoi se ritualet për besimtarët do të vijojnë normalisht, pasi pelegrinët nuk mund të ndalohen pavarësisht stuhisë dhe erës së fortë.

Për të garantuar mbarëvajtjen e pelegrinazhit, Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka hartuar një plan të posaçëm masash, i cili ka nisur të zbatohet para, gjatë dhe pas zhvillimit të këtij aktiviteti. Objektivat kryesore të këtij plani janë parandalimi i aksidenteve rrugore, sigurimi i qarkullimit të lehtësuar të mjeteve dhe ruajtja e rendit publik në të gjitha zonat ku zhvillohet aktiviteti.

Në kuadër të këtij plani, janë vendosur shërbime shtesë të Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe pranë ambienteve të jashtme të teqesë së Kulmakut. Masat e marra po zbatohen në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, pushtetin vendor, shërbimet zjarrfikëse, spitalin rajonal të Beratit dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Policia ka përcaktuar edhe itinerare të posaçme për lëvizjen e automjeteve. Për ata që shkojnë drejt teqesë, rruga e rekomanduar është hyrja e qytetit të Beratit – rrethrrotullimi i kombinatit – unaza e qytetit – rrethrrotullimi i Uznovës – kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut. Ndërsa për kthimin janë përcaktuar dy rrugë alternative: Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – rruga kryesore ‘Antipatrea’ – rrethrrotullimi i kombinatit dhe Teqeja e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – rruga kryesore ‘Antipatrea’ – rrethrrotullimi i Kombinatit. Për pelegrinët që udhëtojnë nga Çorovoda, është sugjeruar përdorimi i aksit Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut.

Gjatë ditëve të pelegrinazhit, nga ora 06:00 deri në 24:00, në disa akse rrugore të qarkut nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Po ashtu, autobusët, furgonët me mbi tetë pasagjerë dhe minibusët nuk do të lejohen të lëvizin në segmentin Plirëz -Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit. Për shkak të parametrave të rrugës, në këtë segment lëvizja do të kryhet vetëm në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet, ndalimet apo pushimet jashtë hapësirave të caktuara për parkim.

Pelegrinazhi i Tomorrit do të vijojë deri më 25 gusht, kur përmbyllet edhe festa e ditëve të shenjta.